Shkruan: Ismail BARDHI
(Publikuar te “Fakti” më 26.04.2000, me pseudonimin Hak Hakiki)
Tashmë shpeshherë është përsëritur se jetojmë në kohën “pas-historike”, e cila ndryshe përcaktohet dhe përjetohet si në kuptimin pozitiv ashtu edhe në atë negativ. Ajo që është e re në lidhje me periudhën “pas-historike”, e që në të vërtetë është tmerruese, nuk është vetëm se ajo se jemi dëbuar nga bota, d.m.th., nga realiteti të cilin jemi në gjendje ta vështrojmë në mënyrën njerëzore: në suazat e përvojës dhe mendimit njerëzor, të të vërejturit dhe të afërtës, të përjetimit të njohur emocional. Që moti kemi vërejtur, edhe pa e ditur këtë, se çdo gjë po na tejkalon, se çdo gjë që ekziston ka marrë formën e kismetit. Njerëzit hahen rreth asaj se ç’është e mirë e ç’është e keqe, ç’është e vërtetë e ç’është gënjeshtër, ç’është liri e ç’është joliri, detyrim, ç’është krim dhe kush e ka kryer, ç’është e përgjithshmja e ç’është maska e krimit.
Siç shihet, historia njerëzore është duke u ballafaquar me shumë “pas”, vetëm për shkak se në brendësinë e saj është munduar ta apostrofojë “pas-thelbësoren”, do të thosha i ka munguar e vërteta, dhe atë me vetëdije. Edhe pse para nesh e kemi njeriun si qenie “e vjetruar” a thua vallë për shkak të kësaj duhet ta mbysim atë? Vetë titulli paksa duket paradoksal por në të ka të vërtetë, për shkak se edhe punët e teologëve janë mjaft paradoksale. E vërteta e fesë fjalën e prezanton si të gjallë, dhe ajo porsa të dalë në shesh menjëherë bëhet një realitet. Mu për këtë arsye feja kërkon kujdes, duke mos i lejuar askujt, e aq më pak teologut, që të tallet me fenë dhe të bëhet shkaktar që nesër dikush ta urrejë atë.
Si në historinë e filozofisë, ashtu edhe në historinë e përgjithshme të njerëzimit, shpesh herë janë paraqitur teza të cilat thellë i kanë prekur ndjenjat e besimtarëve, sidomos akuzat si “opium” dhe ajo tjetra që në filozofi konsiderohet ateizëm më i pastër Niçean “zoti është i vdekur”. Natyrisht si njëra ashtu edhe tjetra u treguan të paqëndrueshme në këtë botë. Por, megjithatë, parashtrohet një pyetje se cilat kanë qenë shkaqet dhe rrethanat kur feja është përshkruar kështu? Edhe pse si njëra ashtu edhe tjetra kanë ngjarë në hapësirën e proveniencës së Kristianizmit, për të cilën ithtarët e fesë islame dinë të thonë se është fe qiellore, besimtarët dhe mendimtarët kristianë i ka lodhur problemi dhe sjellja e teologëve dhe roli negativ i tyre. Disa herë është shkuar aq larg saqë e kanë paraqitur veten si vendimtarë për fenë, duke ia marrë fuqinë vetë fesë. Në fakt, kleri kristian me sjelljet e veta shkatërrimtare ka krijuar një hapësirë që feja të akuzohet ashtu siç u cek më lart. Paramendoni inkuizicionin e asaj kohe, ndërsa në kohën tonë pjesëmarrjen e Kishës në ngjarjet e ndryshme, p.sh. si në Kosovë.
Tashmë një kohë të gjatë edhe besimtarët muslimanë të hapësirës sonë janë duke u ballafaquar me sjellje të çuditshme, të papranueshme të “teologëve”, sidomos BIM-it të cilit fatkeqësisht i ngjason përshkrimi i mësipërm. Dihet se Bashkësia Islame, do të thosha edhe bashkësitë tjera fetare këtu te ne, është më e vjetër se vetë shteti i tanishëm, që do të thotë se ajo ka rol të veçantë dhe është institucion që asnjëherë nuk guxon të harxhohet për hir të atyre që përpiqen qëllimisht dhe me vetëdije ta shkatërrojnë dhe t’ia prishin imazhin të cilin duhet ta ketë. Një kohë të gjatë ajo është duke u dridhur, duke përjetuar tërmet të hatashëm, së pari për shkak të keqpërdorimit që i bëhet nga ana e udhëheqjes zyrtare të saj dhe së dyti nga sjellja jashtinstitucionale që i bëhet. Si njëra edhe tjetra meritojnë të studiohen, por qëllimi im është që të ftoj çdo forcë për t’u marrë me të tashmen e saj dhe me përgatitjen më të mirë për të ardhmen.
Një kohë të gjatë po paraqiten shkrime, reagime, biseda e kështu me radhë rreth asaj se ku është BIM-i dhe reisi i saj, saqë në disa prej tyre fjala “reis” është shkruar edhe si “rezil”, që është gabim sepse ato kanë domethënie të ndryshme, në të vërtetë “reis” do të thotë kryetar, udhëheqës. Nënshkrues të shkrimeve paraqiten “grup teologësh”, “lëvizje”, “shtëpi botuese” e deri te individë, e nga ana tjetër përgjigjen “anonimët”, “të indinjuarit”, “të gjithë teologët” etj.
Në shikim të parë, pa u thelluar në brendësitë e shkrimeve, jemi të thirrur që për shkak të përgjegjësisë së madhe juridike dhe morale t’i dimë të drejtat tona të cilat janë të garantuara rreth momentit në fjalë. Që këtu, shumica e këtyre merren me këtë çështje duke u bazuar në përvojën e tyre tepër subjektive dhe veprimtaritë e tyre të mbyllura të cilat po kalojnë pa u shqyrtuar fare vetveten. Ata vetë fatkeqësisht askujt nuk i japin llogari, “përpos Zotit”, që është diç e çuditshme. Faktikisht të drejtat njerëzore përzihen me atë të Zotit. Për shembull, njërit prej tyre pa kurrfarë përgjegjësie i bën mendja dhe i del “sahib” një xhamie, duke e keqpërdorur sinqeritetin e besimtarëve. Ndërsa dihet se asnjë xhami asnjëherë nuk ka qenë çështje private, pos vakëf dhe s’mbahet në mend asnjëherë në historikun e xhamisë të ketë pasur ndonjë imam “privat”, i cili do ta konsideronte atë pronë të veten dhe më në fund ta shndërrojë në qendër turistike për organizimin e haxhit. Një tjetër në mënyrë të sinqertë, siç edhe thotë vet, sillet në xhaminë e fshatit si sharlatan të cilit për çdoherë i demantohen fjalët, e ai fare nuk mendon për këtë. Ai është në gjendje të paraqitet edhe si shumë më i shenjtë, por elhamdulilah mentaliteti ynë nuk pranon mundësinë e paraqitjes së njerëzve me “fuqi mbinatyrore”. Një tjetër i cili ka përjetuar satisfaksionin e hapësirës së cilësisë tash ka dëshirë të dalë në hapësirën e sasisë, që është sërish një veçanti në vete. Tjetri nuk është në gjendje të bëjë asgjë përpos se të merret me çështjen e zgjedhjes së kryetarit. Më pastaj përgjegjësit e disa shtëpive botuese të përbëra nga dy-tre anëtarë “me qëllime të mira” dalin jashtë kompetencave të tyre dhe fillojnë të merren me çështjen e zgjedhjeve dhe BIM-it. Të gjithë këta juridikisht janë faktorë të jashtëm. Më duket se ata shkaktojnë probleme që çdoherë krijojnë gjendje të tillë psikike për t’u marrë me çdo gjë tjetër, pos me atë profesionalen e tyre. Ndërsa, vërehet se të gjithë këta nuk kanë kohë që në aktivitetet e tyre të tregojnë se kujt i japin llogari dhe si e harxhojnë pasurinë e cila jepet në emër të besimtarëve. Kjo nuk do të thotë se ata nuk janë duke bërë edhe punë të hajrit me botimin e librave që me të vërtetë është një punë tejet e çmuar.
Ky lloj aktiviteti në tërësi kalon nëpër fazat e ndryshme të asaj që quhet “sinqeritet” dhe “çmenduri”, por për fat të keq nuk jam psikolog që t’i prezantoj këto dy momente të cilat zënë vend në disiplinën e psikologjisë, mirëpo sa më përket mua gjithmonë kam pasur vështirësi ta dalloj “besimtarin e sinqertë” nga “besimtari i çmendur”, sepse si i pari ashtu edhe i dyti janë besimtarë. Por ku qëndron gabimi: këta nuk kanë të drejtë të mendojnë ashtu siç sillen me “përgjegjësitë” e tyre dyshe-treshe si ndaj vetvetes ashtu edhe ndaj qendrave të tyre, sepse krijohet një kaos i paparashikuar. A thua vallë reisi nuk ka mundësi ta ketë një shtëpi botuese dhe t’i botojë dy-tre tituj brenda vitit dhe për to të kërkojë mjete nga francezët dhe berberët? Ky mentalitet fatkeqësisht ekziston edhe brenda BIM-it, siç do të shihet më poshtë.
Paramendoni nëse këtë arsye/mendje private e hedhim në institucion, atëherë parashtrohet pyetja se a thua vallë shtëpitë botuese ose x-firma të ndryshme kanë dëshirë të tubohen dhe ta bëjnë një qendër, e më në fund të sillen pa përgjegjësi ose vetëm duke i dhënë llogari vetvetes e askujt tjetër? Jo, nuk kemi mundësi kështu, nuk është mirë, nuk kemi të drejtë. Këtë jemi duke e parë me vetë BIM-in e sotëm që për fat të keq është tepër, tepër i lodhur. Nëse eventualisht është puna që të lartshënuarit vetëm se të merren me diçka, atëherë ata kanë shumë gjëra për t’u marrë, si p.sh., rrugët e ngushta nëpër qytete, papastërtia e qytetit, shtrenjtësia e madhe, amoraliteti, droga etj. etj., që do të thotë se kanë mundësi të shkruajnë, të tubohen e të protestojnë para qendrave të ndryshme që këto gjëra të parandalohen, gjë që edhe është e drejtë nëse kështu paramendohet edhe Bashkësia Islame. Mirëpo, BIM-i (jo ky i tashmi) është diç krejtësisht tjetër, dhe nuk është mirë që ai në këtë hapësirë të nëpërkëmbet dhe nesër mos të ekzistojë vetëm për shkak të këtij reisi.
Njeriu është i gjallë derisa nuk konsiderohet “i vjetruar”, gjë që vlen edhe për qendrën fetare e cila është ekzistuese derisa nuk i harxhohen resurset e moralit dhe roli të cilin e ka ndaj besimtarëve. Ne nuk jemi në Afrikë (pa ofendime) e të mendojmë vetëm se sinqerisht, ku çdokush ka mundësi të ketë qendër dhe liri për të bërë çmos. Të gjitha aktivitetet momentale të cilat po ndodhin jashtë, por rreth Bashkësisë Islame më duket se janë duke harruar thelbin e problemit: se ne kemi nevojë për Bashkësi të fuqishme e cila do të jetë ëma jonë, gjë që për fat të keq nuk është duke ndodhur. Paramendoni nëse nesër çdo imam del e thotë “xhamia është e imja”, ç’do të ndodhte në atë rast?
Sa i përket reisit, i cili mendon se është vet BIM-i, me të po ndodh një problem i madh. Kohëve të fundit ai kontakton me dhe më në fund i kthen nëpër vendet e punës njerëzit të cilët kanë qenë të akuzuar edhe në mënyrë publike, jo vetëm se me ofendime por edhe me etiketime që kanë qenë shumë të rrezikshme, por të cilat në fund “falen” mu ashtu siç i “fal” prifti pas të rrëfyerit. Në vijim këtë problem do ta prezantojmë së pari duke treguar se ç’po ndodh dhe së dyti se çfarë probleme po na len pas.
Ky reis është zgjedhur nga aparati votues brenda BIM-it. Këtu natyrisht parashtrohet pyetja se a thua vallë vetëm ai është fajtor për gjendjen e tashme dhe meqë e kanë zgjedhur të tjerët atëherë del se ai ka legjitimitet. Rrjedhimisht, ai punëson njerëz kokë më vete, largon nga puna kokë më vete; harxhon kokë më vete, mbledh para kokë më vete; ndërton xhami kokë më vete dhe i harxhon ato kokë më vete. Shikoni problemin e brendshëm të teologëve brenda BIM-it me lobit e ndryshme, figurat e ndryshme, puthadorësinë e çuditshme, me një fjalë çdo send kalon nëpërmjet asaj që është “qëllimet kështu i kanë”, e assesi me atë se si është realiteti, do të thosha me problemet faktografike. Vetëm sa për ilustrim po e përmendim rastin e njërit i cili kthehet në punë dhe emërohet si drejtor në postin e një tjetri i cili asokohe rastësisht ka qenë jashtë vendit. Ky i porsaemëruari me parë fatkeqësisht ka pasur një përgjegjësi tejet të lartë disavjeçare për të cilën asnjëherë askujt nuk i ka dhënë llogari. Faktikisht ai mentalitet udhëheqës mbisundues u bë trashëgimi edhe në kohën e reisit të tashëm. Por, problemi me këtë njeri është se posa kthehet në punë dhe i jepet së fundi përgjegjësia kryetar i komisionit zgjedhor për zgjedhjet brenda BIM-it ai prezantohet vetëm se me “mençuri” e me asgjë tjetër, duke thënë “më falni, unë nuk kam përvojë të gjatë në këtë bashkësi”. Mjerimi më i madh është se ana tjetër vetëm se zgërdhihet dhe ia lejon një sarkazëm të tillë (nuk është për t’u çuditur që atij t’i caktohet edhe ndonjë post tjetër kalimtar). Ruana Zot! Kështu është me njeriun i cili shkollohet si teolog e aspak nuk e njeh teologjinë, përpos neneve. Duhet pranuar se kjo i ka shkuar për dore, saqë më vjen ta quaj “nenist”. Nuk e kuptoj se si është e mundshme t’i jepet një përgjegjësi e tillë njeriut në fjalë. Ky është gabim i dyanshëm: si nga ata që ia kanë dhënë ashtu edhe nga vetë ai që e ka pranuar kur e di se ai hëngri shuplaka të cilat rrallë kush në botë mund t’i durojë e akoma të jetë gjallë. Muslimanët e Bosnjës ia dhanë leksionin, kurse edhe BIM-i këtu e poshtëroi tej mase.
Duke pasur parasysh të lartpërmendurën gjendemi para sfidave të llojit: si do të rregullohet problemi brenda BIM-it kur momentalisht xhamitë dhe imamët e tyre të cilët më së tepërmi punojnë janë të harruar si moralisht ashtu edhe materialisht? Si do të largohet mosdija dhe keqpërdorimi i tyre? Si do të rregullohet papërgjegjësia profesionale brenda institucionit më të lartë, ku njerëzit titullohen me poste me përgjegjësi duke mos dhënë fare llogari? Ç’po ndodh me pasurinë e patundshme dhe të tundshme të BIM-it? Si do të rregullohet i tërë ky kaos?
Të gjitha këto dhe të tjera janë probleme te të cilat nëse pak i shqyrtojmë dhe i analizojmë do të vërejmë zbrazëtira të mëdha dhe papërgjegjësi të madhe të teologëve tanë, për çka nuk do të ishte fajtor vetëm se një reis, por bashkë me të edhe udhëtarët në “reiz”. Nga ana tjetër nuk mendohet fare se si do të rregullohen problemet e ardhshme të cilat pothuajse i ka çdo institucion fetar. Ndër problemet më të mëdha janë financimi i BIM-it; denacionalizimi i pasurisë së saj që është temë vëllimore; mësim-besimi dhe krijimi i kuadrit që do ta zhvillonte atë nëpër shkolla, ku do të nevojitej një makineri e gjerë teologësh, duke filluar nga pamja e tyre, përgatitja profesionale e deri te financimi i tyre; relacioni i BIM-it me qeverinë dhe shtetin dhe pastrimi i tij nga ata të cilët kanë qenë dhe janë në shërbim të dikujt tjetër e vetëm se në dëm të vetvetes dhe të qendrës, krijimi i institucionit siç është Fakulteti i Shkencave Islame dhe rregullimi i kuadrit të duhur mësimdhënës; krijimi i perspektivës së hapësirës së teologëve dhe teologjisë në këtë vend; ringjallja e fesë dhe rolit të saj të cilin momentalisht është duke e fituar nëpër vendet e modernizuara; krijimi i marrëdhënieve me jashtë, e sidomos kthimi i dinjitetit të teologut dhe rolit të tij në hapësirën tonë që është duke kaluar nëpër pikëpyetje të shumta. Të gjitha këto, si dhe shumë të tjera, reisi i rregullon duke luajtur, privatisht. Një mendim që i kujtohet natën ai e realizon ditën. Por a thua është vetëm kështu, kur dihet se ky në mënyrë perfide i kalon këto dimensione dhe krijon asi hapësire të manipulimit që nuk do të dëshiroja të them se është e mundshme, ndërsa njerëzit për shkak të ekzistencës pranojnë çdo gjë. Faktikisht ai krijon hapësirë psikologjike që frikëson dhe mashtron çdokënd me mundësinë për montimin e proceseve të tmerrshme. Në realizimin e gjithë kësaj ai është në gjendje të blejë njerëz dhe ta lansojë mendimin e vet në media dhe të paraqesë çdo gjë pos faktit.
Sinqerisht, populli ynë është duke u ballafaquar me gjëra të cilat fare nuk i meriton, ai ka flijuar vetveten, ka dëshmuar vetveten për diç më të lartë, më të rregulluar e jo të ketë reis që fare nuk i dëgjon zërat e besimtarëve, të teologëve, të vetë institucionit, e as të gjeneratave të ardhshme të cilat kanë nevojë të kenë një qendër të pastër, plot kulturë, fe dhe të fuqishme, e cila do t’ju ofrojë zgjidhje të ndryshme për kohët shumë të rrezikshme që po vijnë. Teologët tekefundit janë të shkolluar nga mundi i prindërve tanë dhe çdokush nga ne e di se si kanë jetuar, si kanë punuar dhe si kanë harxhuar, për të pasur teologë në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë rast teologët nuk po e japin provimin si duhet.
Fare pa u prekur duhet të pranojmë se mbijetesës së këtij reisi, Zot na ruaj edhe nga një mandat i tij, po i shkon në favor aktiviteti i mentalitetit privat i cili është duke u bërë nga aktivistët e sinqertë. Këtu disa e keqpërdorin edhe politikën. Me një fjalë sjellja fëmijërore u bë e tepërt. Kjo që po e bëni me njerëzit nuk është lojë, edhe pse momentalisht keni mundësi të blini disa nga ata për punë të ndryshme. Kështu ndodh vetëm atëherë kur njerëzit në punët e tyre nuk japin mund intelektual e material.
Sa i përket reisit, atij duhet t’i bëhet me dije nga vetë institucioni që sa më shpejtë të fillojë me dhënien e llogarisë për postin dhe vendin e punës edhe pse është vonë që të pritet përmirësimi i tij i brendshëm, ngaqë e kaluara e tij e dëshmon këtë. Duhet bërë çmos që ky njeri mos të japë dorëheqje pa e dhënë llogarinë, por që të bëhet kjo ai duhet çdoherë larguar nga gjësendet dhe mjetet e rrezikshme që mos të bëjë vetëvrasje.
Teologët kanë pasur mjaft kohë që të marrin ibret nga e kaluara. Në kohën e komunizmit kishim sistemin që “pengonte”, “prishte”, “shkatërronte”, fëlliqte dhe njolloste çdo gjë të mirë, duke filluar që nga njeriu e deri te feja, ndërsa sot kemi një proces demokratik dhe nga ne varet se si atë do ta kuptojmë, shfrytëzojmë dhe adaptojmë me realitetin. Nuk kemi të drejtë t’u lëshohemi stuhive dhe aventurës së mendimit, duke përdorur sjelljet e mëparshme brenda BIM-it ; nuk ka nevojë t’i frikësohemi njeriut joekzistues për të cilin nesër pas vdekjes askush nuk do të flasë fjalë të mirë, e as që do t’i lexojë “Fatiha”, por vetëm mallkim. Kjo nuk vlen vetëm për të, por edhe për ata të cilët nuk kanë punë tjetër përpos se të përhapin informata dhe të krijojnë hapësirë aq të rrezikshme për ta detyruar çdo njeri të mençur që të largohet nga përgjegjësia e këtij posti. Ky institucion është emanet i shenjtë për të gjithë ne, e sidomos për teologët dhe të gjithë kemi jo vetëm se nevojë por edhe obligim ta ruajmë atë, të përgatitemi që t’ia zbardhim fytyrën dhe të dëshmojmë se teologët nuk janë lojë, por njerëzit më të çmuar të popullit tonë. Kjo mund të bëhet vetëm atëherë kur do të zgjedhim kryetar të mirë, të drejtë dhe të mençur, duke ia mbyllur rrugën primitivizmit, lokalizmit dhe sjelljes jo të sinqertë ndaj njëri-tjetrit.