Qytetarët e kategorive më të rrezikuara nga Kumanova do të përfshihen me masën e subvencionimit të shpenzimeve për shërbime komunale, përkatësisht për ujë të pijshëm dhe deponim të mbeturinave nga buxheti i komunës së Kumanovës. Sipas buxhetit është planifikuar të mbulohen 450 persona nga Kumanova, prindër të vetëm, të falimentuar, persona me aftësi të kufizuara dhe fëmijë pa prindër.
Për këtë subvencionim do të ndahen 6.480.000 denarë. Në total, për programin e mbrojtjes sociale për vitin 2023, komuna ka përcaktuar kornizë financiare prej gati 14 milionë denarë. Përveç këtij subvencioni, për herë të parë do të mbështeten financiarisht edhe përfituesit e ndihmës minimale të garantuar që jetojnë me qera.
“Ky shërbim do të realizohet përmes dy masave në ndihmë të përfituesve të ndihmës minimale, subvencionimi i shpenzimeve të shërbimeve komunale për ujë prej 900 denarë në muaj për çdo shfrytëzues dhe depozitimi i mbeturinave prej 300 denarë për çdo shfrytëzues. Ekziston edhe ajo risi e subvencionimit të qirasë prej 2.000 denarë në muaj. Për këtë qëllim nga buxheti janë siguruar mjete prej 576.000 denarë.”, – theksoi Aleksandar Krstevski nga Deparatamenti për mbrojtje sociale në Komunën e Kumanovës.
Nga buxheti i Komunës së Kumanovës janë paraparë katër milionë denarë për fatkeqësi të caktuara natyrore dhe për familje paguhen nga 10 deri në 30.000 denarë. Për ndihmë të njëhershme financiare ose ndihmë në natyrë janë siguruar 1.500.000 denarë./MRT