Banorët shqiptarë të rrugës “Kiro Fetak” në Kumanovë, kanë protestuar sot para ndërtesës së komunës për shkak se siç thonë, tani dy javë ballafaqohen me mungesë të ujit, shkruan gazeta LAJM. Ata janë të revoltuar që në shekullin 21 përballen me mungesë të këtij kushti elementar të jetës.
“Nuk jemi tubuar se kemi deshirë të dalim në rrugë e të protestojmë, por jemi tubuar për shkak se të gjitha apelet tona kanë hasur në vesh të shurdhër tek udheheqesit e komunës. Është turp banorët qe jetojne në qendër të komunës më të madhe në Maqedoni me javë të tëra të mos kenë ujë për pije”, tha ndër të tjera, organizatori i protestës Mesud Bajrami.
Protesta ka filluar në orën 12, ndërsa banorët thonë se do të protestojnë deri sa të tejkalohet problemi me të cilin përballen.
“Mos harroni se ashtu sikur kaluan shpejte dy vite nga premtimet tuaja te rrejshme, ashtu do të kalojne shpejte edhe dy vitet qe ju kane mbetur nga mandati dhe prape do të kerkoni voten tonë. Do të jetë vone, sepse premtimet tuaja te rrejshme do ti bartë uji. Lagja jonë është e njohur si lagje me banorë punetore dhe hallexhinj, të qetë dhe të ndershëm. Mirëpo me keqardhje duhet ta them se durimit tonë i ka ardhur fundi. Kësaj radhe do të protestojmë qetë, mirëpo radhen tjeter do të protestojmë ndryshe. Ne megjithatë parapëlqejmë që kompetentët të zgjidhin këtë problem, që për ne dhe familjet tona është jetik dhe të mos ketë nevojë për protesta tjera”, u shpreh Bajrami.
Lagja Kiro Fetak dhe Boris Kidriç që janë të banuara kryesisht me shqiptarë, ndodhen në pjesën qendrore të qytetit të Kumanovës, ndërsa përballen me probleme elementare infrastrukturore, siç janë problemet me sistemin e ujësjellësit dhe mungesën e asfaltimit të rrugëve.
Menjëherë pas protestës, kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski, i ka ftuar protestuesit në një takim, i cili ende po vijon. /Gazeta Lajm