Pas aktiviteteve 14 muajshe, në Kumanovë ka përfunduar projekti i rindërtimit të kanalizimit fekal në një gjatësi prej rreth 26 kilometrash, njofton “TVM2”. Bëhet fjalë për një projekt kapital me vlerë prej 4 milionë eurosh, të financuara nga BE, me të cilin do të përmirësohen standardet ekologjike dhe shëndetësore në komunën e Kumanovës.
“Në më pak se dy vite më shumë se 13 kilometra të sistemit të kanalizimit janë të rehabilituara duke përfshirë edhe disa pika kritike. Gjithashtu rrjeti i kanalizimit është zgjeruar për 12 kilometra plotësuese, sidomos në ato vende të Kumanovës ku më parë nuk kanë pasur sistem të kanalizimit”,- deklaroi ambasadori i BE-së në RM, Samoel Zhbogar.
“Ky investim i financuar nga fondi i BE-së në vlerë prej 4 milionë eurosh gjithashtu me kofinancim nga shteti prej 990 mijë eurove, është i një rëndësie të posaçme shoqërore për qytetarët e komunës së Kumanovës. Me këtë do të përmirësohet grumbullimi i ujërave fekale me ndërtimin dhe rindërtimin e rreth 26 km rrjet kanalizimi. Do të ulet rreziku për derdhjen e ujërave të zeza si dhe do të përmirësohen standardet ekologjike dhe shëndetësore në komunë”,- tha ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku.
“Me rrumbullakimin e këtij projekti, në të ardhmen do të vazhdohet me realizimin e projekteve tjera me ndihmën e partnerëve tanë strategjikë nga BE, me çka do të ngrisim nivelin e jetës në komunën e Kumanovës”,- u shpreh kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Në kontekst të investimeve të ardhshme, ambasadori i BE-së, Samoel Zhbogar, paralajmëroi edhe një projekt kapital jo vetëm për Kumanovën, por për tërë rajonin verilindor, respektivisht ndërtimin e një deponie rajonale. /TVM2/