Komuna e Kumanovës ka njoftuar një thirrje për mbështetje financiare për shoqata dhe persona juridikë që veprojnë në fushën e mbrojtjes sociale.
Thirrja është e hapur nga data 10 deri më 23 shkurt, me qëllim që të sigurojë mbrojtje sociale për qytetarët.
“Komuna e Kumanovës synon të zvogëlojë rreziqet sociale, të ndërmarrë masa parandaluese dhe të përmirësojë mirëqenjen e të gjithë qytetarëve, duke synuar të sigurojë siguri sociale, të përmirësojë cilësinë e jetesës dhe të forcojë kapacitetet e komunës. Për këtë qëllim, janë ndarë 3 milionë denarë nga buxheti, dhe përparësi do të kenë aplikantët që janë në proces të licencimit për një shërbim të caktuar”, theksoi Aleksandar Krstevski, drejtori i Sektorit për Mbrojtje Sociale.
Mbështetja financiare i referohet shoqatave që janë në fazë zhvillimi, përgatitje dhe krijimi të shërbimeve sociale të reja ose inovative, si p.sh. shërbime informimi dhe orientimi, shërbime ndihme dhe mbështetje profesionale, shërbime këshillimi, shërbime në shtëpi, shërbime në komunitet ose shërbime për mbrojtje jashtë-familjare.
Shoqatat dhe organizatat joqeveritare që tashmë kanë siguruar licenca për ofrimin e një shërbimi të caktuar nuk mund të aplikojnë për projekte, ashtu si dhe organizatat që kanë marrë mbështetje financiare nga komuna për tre vjet rresht.
Kushtet për të aplikuar janë që shoqata të jetë e regjistruar në Regjistrin Qendror Shtetëror, të veprojë në territorin e komunës, të ketë të paktën tre vjet ekzistencë aktive dhe aktivitete të realizuara me sukses, dhe të ketë të punësuar të paktën një person.
Mënyra e aplikimit dhe dokumentacioni i nevojshëm mund të gjenden në faqen e internetit të Komunës së Kumanovës ose në Departamentin për Mbrojtje Sociale, Mbrojtje të Fëmijëve dhe Mbrojtje Shëndetësore.