Për shkollën e mesme komunale “Kiro Burnaz” në Kumanovë thuaj se kanë ndaluar vitet. Kjo për shkak të kushteve me të cilat përballet kjo shkollë, të cilat ngjasojnë me ato të viteve para Luftës së dytë botërore. Kamera e Alsat M filmoi objektin dhe klasat e improvizuar, në të cilat nxënësit shqiptarë tash e pesë vite vazhdojnë procesin mësimor. Në kushte të mjerueshme, në këtë shkollë, nxënësit mësimin e ndjekin në 4 drejtime: i Fermerëve, Veterinarisë, Agrokulturës dhe drejtimi i Kozmetikës. Kushtet katastrofale ndikojnë që interesimi për regjistrim të jetë i zbehtë, prandaj dhe numri i tyre nuk arrin as 50 nxënës.
Siç e dini kemi qenë në Likovë dhe prej atje kur jemi larguar, na kanë premtuar se vetëm për 6 muaj do vendosemi në kontejner e pastaj do na e rregullojnë objektin atje mbrapa, sot e kësaj dite kemi 4 vite dhe nuk është lëvizur asgjë. Apeli ynë deri te institucionet arsimore është që së pari të na krijohen kushtet elementare për zhvillim e procesit edukativo arsimorë e pastaj të merremi me ditare elektronike- deklaroi Ridvan Kamberi, përgjegjës për paralelet shqipe në shkollën “Kiro Burnaz”.
Nxënësit por edhe profesorët që vijojnë mësimin në këtë thonë se në kushte të këtilla nuk është e mundur të mësohet.
Kushtet nuk janë aspak të mira, ne jemi viti i parë i drejtimit të kozmetikës, për të realizuar një orë mësimore në praktikë detyrohemi që të shkojmë në objektin e shkollës amë në fshatin Kojnare. Edhe ne duam të kemi kushte në shkollën tonë!- u ankua një nxënës i shkollës.
Është shumë e vështirë sepse shkollate tjera përdorin metoda interaktive si dhe metoda të sofistikuara me mjete adekuate si dhe kabinete të lloj-llojshme, e ne çfar kemi për të folur kur ende punojmë me shkumës me dërras të zezë, me një fjalë me metoda klasike duke tentuar të bëjmë ndonjë lëvizje por ja i shihni kushtet dhe rrethanat se si janë – deklaroi Gazmend Saiti, profesor në Sh.M.K.”Kiro Burnaz”.
Disa vite me radhë me Ministrinë e Arsimit udhëheqin kuadro shqiptarë, por asnjëri nga ministrat nuk e ka parë të arsyeshme ti vizitojë këta nxënës që mësojnë në kushte mizore.
Fatlum Aqifi

