Ukraina u ka bërë thirrje vendeve partnere që të “përforcojnë në mënyrë të konsiderueshme” kontributet e tyre të mbrojtjes për Kievin në luftën kundër Rusisë.
“Apelojmë te të gjitha vendet partnere që tashmë kanë ofruar ndihmë ushtarake ose po planifikojnë ta ofrojnë atë, me një thirrje për të përforcuar në mënyrë të konsiderueshme kontributin e tyre praktik në forcimin e aftësisë së Ukrainës për të mbrojtur veten dhe për ta sjellë ndihmën e tyre në një nivel cilësor të ri”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Oleksii Reznikov dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba.
Në njoftim thuhet se përmirësimi i sigurimit të mjeteve të blinduara moderne në Ukrainë dhe rritja e aftësive të tyre dhe manovrimit me ndihmën e tankeve perëndimore është një nga “nevojat më urgjente”.
Lidhur me këtë, në deklaratë thuhet se u është bërë thirrje veçanërisht vendeve që kanë tanke të tipit ‘Leopard 2’, përfshirë Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Gjermanisë, Greqisë, Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Portugalisë, Spanjës, Suedisë dhe Türkiye-s.
“Ne garantojmë se do t’i përdorim këto armë me përgjegjësi dhe ekskluzivisht për qëllimet e mbrojtjes së integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, theksuan dy ministrat ukrainas.
Në deklaratë po ashtu theksohet se u bëjnë thirrje vendeve partnere që të bashkohen dhe të kontribuojnë në nismën për themelimin e një koalicioni ndërkombëtar tankesh në mbështetje të Ukrainës.
“Ne ju kërkojmë ta bëni këtë për hir të miliona qytetarëve paqësorë të Ukrainës, të cilët do të mbeten në rrezik vdekjeprurës nga Rusia, nëse Forcat e Armatosura të Ukrainës nuk marrin përforcimet e nevojshme në kohën e duhur. Ne ju kërkojmë ta bëni këtë për hir të qytetarëve tuaj, në mënyrë që krimet që ajo (Rusia) kryen të mos vijnë në tokën e tyre dhe në shtëpitë e tyre”, thuhet në deklaratë.