Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa aspak nuk e merr parasysh mendimin e dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme rreth propozim-ndryshimeve të këtij koalicioni për ligjin për shtetësinë. Madje, koordinatori i grupit parlamentar të opozitës shqiptare Skender Rexhepi, thotë se as nuk kanë kërkuar mendim nga Ministria, të cilën e quan institucion që për 3 dekada ka luajtur me fatin e njerëzve, duke ua mohuar një jetë normale.
TV21: A mendoni se po i pengon dikujt një zgjidhje e mundshme për këtë problem 3 dekadësh?
Skender Rexhepi: “Po a mendoni se rastësisht 3 dekada nuk e kanë zgjidhur këtë problem”.
TV21: Kujt i pengon?
Skender Rexhepi: “Atyre të cilët e kanë problem mental nga aspekti nacionalist shovinist kundrejt shqiptarëve, të atyre të cilët insistojnë çdo çështje që ka të bëjë me raportet shqiptare-maqedonase, edhe pse këtu nuk ka të bëjë aspak me raportet shqiptare-maqedonase, por me raportet e fateve të njerëzve, qoftë ai edhe 1 individ i cili 3 dekada jeton në një shtet dhe i pamundësohet e drejta e kujdesit shtetëror ndaj tij si shtetas i këtij vendi”.
Duke qenë se për opozitën shqiptare mendimi i MPB-së është jorelevant, Rexhepi pret që harmonizimi dhe arritja e një konsensusi të bëhet në Kuvend, aty ku edhe është propozuar ligji. Këtu do të shihen edhe se sa reale janë premtimet e Qeverisë për “shoqëri për të gjithë”, shton deputeti Rexhepi.
Skender Rexhepi: “Konsiderojmë që ata e politizojnë çdo nen të këtij propozim-ligji dhe ne nuk merremi fare me propozimin që e bën MPB-ja, por do ulemi me gjithë faktorët relevant në Kuvend do marrim mendimet e tyre”.
TV21- Po këtu e kisha fjalën! Më falni… Nëse në Kuvend LSDM-ja vjen me këto kritika të njëjta që janë të Ministrit Spasovski…
Skender Rexhepi: “Do ulemi që do t’i diskutojmë”.
TV21: Diskutoni për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët?
Skender Rexhepi: “E thash edhe më herët, çdo subjekt politik që vjen me kërkesa, qofshin edhe identike me to, ne i konsiderojmë kërkesa të subjekteve politike, jo të Ministrisë”.
Në mendimin e dhënë më 28 dhjetor 2020, MPB thotë se në propozim ligj nuk janë definuar qartë disa aspekte, ndërsa kritikon edhe marrjen e shtetësisë përmes tre dëshmitarëve, marrjen e shtetësisë në bazë të martesës, trashëgimi i shtetësisë nga brezi i parë dhe i dytë dhe marrja e statusit shtetas duke njohur gjuhën shqipe si zyrtare.