Një furçë e re dhëmbësh, një peshqir dhe një palë rroba të palosura mirë qëndrojnë në shtratin e një dhome të lirë në shtëpinë e Cecilia Tipa-s në Londër. Ajo i kishte vendosur këto gjësende në shtrat muajin e kaluar për t’u përgatitur për vizitën e babait të saj në Britani të Madhe. Ajo nuk besonte se pas një muaji, këto dhurata do të fillonin të mbulohen me pluhur.
Kujdestarja e personave të moshuar, e cila u vendos në Britani në vitin 1999, e ka pritur me muaj të tërë vizitën e babit të vet. Paul Tipa, punëtor në sektorin e bujqësisë, asnjëherë nuk është larguar nga Zimbabveja që s’ka dalje në det. Vizita në Britani jo vetëm që do t’ia mundësonte shëtitjen nëpër një nga kryeqytetet më të bukura të Evropës, por gjithashtu do t’ia ofronte për herë të parë në jetë ecjen nëpër bregdet.
Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Britanisë nuk e lejoi një gjë të tillë. Pasi ia refuzoi vizën për vizitë familjare, ky organ tha se ndonëse ishin të kënaqur me mundësitë e vajzës së tij për t’ia mbuluar shpenzimet e vizitës, ata nuk besuan se baba ii saj kishte mjete të mjaftueshme financiare për shpenzimet e tjera që mund t’i ketë gjatë qëndrimit në Britani.
“Mendoj se kjo është shumë e padrejtë. Ndihem pjesë e këtij vendi, pjesë e kësaj kulture, por ky vendim më dëshmoi se në fakt unë nuk përkas këtu. Ndihem si e huaj. Kam punuar shumë, kam kontribuar. Tash më duhet të shkoj në punë dhe po e pyes veten pse më duhet ta bëjë këtë”, tha Tipa, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.



