Përkundër paralajmërimeve për hapjen e shpejtë të kalimit kufitar Bellanoc-Stançiç, që lidh vendin tonë me Kosovën, edhe ky fillimvit e gjen këtë kufi të mbyllur. Kjo madje ishte një ndër temat për të cilën u diskutua në takimin e parë të Komitetit të përbashkët për integrim evopian të dyja vendeve. Ministrja për integrim evropian e Kosovës Dhurata Hoxha, vendi i së cilës duhet të merret me ndërtimin e pikës kufitare, tha se në qeveri është diskutuar për përshpejtimin e procedurave.
Në Qeverinë e Republikës së Kosovës e kemi ngritur këtë çështje, e kemi diskutuar pra nga ana jonë edhe ne jemi duke i ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprimet të cilat do të përshpejtojnë këtë proces dhe jemi në koordinim dhe do të vazhdojmë këtë koordinim të ngushtë edhe me zyrën e BE-së që me të vërtetë sa më shpejtë qytetarët të mund të lëvizin edhe nga ajo pikë kufitare- deklaroi ministrja për Integrim Evropian e Kosovës Dhurata Hoxha.
Zv. kryeministri Bujar Osmani pranoi se Maqedonia tashmë nuk ka në duar asgjë për të ndërtuar pikën kufitar dhe se me këtë merret pala kosovare dhe misioni i BE-së atje.
Tash obligimi është tek delegacioni i BE-së, mesa e di është delegacioni i BE-së në Kosovë i cili bën procedurën e prokurimit të ndërtimit të këtij objekti- tha zv kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
Neglizhenca e organeve kompetente të Maqedonisë solli humbjen e 1.2 milion eurove fonde të Bashkimit evropian, të parapara për këtë pikë kufitare.