Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mundësinë e kthimit të ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvendin e Kosovës nga presidentja Justina Shiroka-Pula.
Haradinaj e ka quajtur këtë veprim si një “lojë të ndytë”, duke theksuar se ligji është miratuar me mbështetje të gjerë, më shumë se dy të tretat e deputetëve e kanë votuar atë. Ai e ka kritikuar këtë situatë si një tallje me Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.
“Ligji tani është i Kosovës, e kanë votuar mbi dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Nuk kemi ndonjë informatë që kthehet ligji prapa. Unë mendoj se kjo është një lojë e ndytë. Nga kushdo që e bën këtë lojë, është turp për ata që janë përfshirë në këtë lojë,” tha Haradinaj.
Ai theksoi se kthimi i mundshëm i ligjit do të ishte një ofendim për të gjithë ata që kanë punuar dhe luftuar për këtë çështje, duke e konsideruar si një shkelje të përpjekjeve të deritanishme.
“Po edhe loja me ligjin, pra është një ofendim tani kthimi prapa i ligjit, nuk e kuptoj këtë. Pse duhet me na ndodh kjo? Pas gjithë atyre përpjekjeve, është një ofendim i radhës,” shtoi ai.
Haradinaj gjithashtu e vuri në dukje se Kosova po përballet me sfida të tjera, si mungesa e komunikimit dhe dialogut strategjik, si dhe ngecje në proceset e integrimit euroatlantik, që ai i sheh si rrezik për vendin.
“Kjo po e shpjegon edhe atë se çka po ndodh Kosovës, po edhe te ligji, është një sinkronizim me lëshuar Kosovën më poshtë sesa që është. Mungesa e komunikimit strategjik dhe dialogut, si dhe ngecjet në proceset për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe NATO, janë gjithashtu rrezik për Kosovën,” përfundoi ai.



