Komisioni Shtetëror Zgjedhor në mbledhjen e sotme duhet t’i shqyrtojë dhe të vendosë rreth ankesave nga parashtruesit e listave të kandidatëve lidhur me votimin në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale.
Në afatin e paraparë, në KShZ u parashtruan gjithsej 46 ankesa. Më së shumti ankesa ka parashtruar VMRO-DPMNE, 43, dhe nga një TMRO, Aleanca për shqiptarët dhe E Majta. Por, VMRO-DPMNE-ja ka tërhequr tre prej 43 ankimimeve për zgjedhjet e fundit lokale që i kishte dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dy prej ankimimeve kishin të bënin me procesin zgjedhor në Prilep, ndërsa për një në Shkup.
Tërheqja është bërë sot para se të nisë procedura e hedhjes së shortit për përcaktimin e lëndëve që do të shqyrtohen të parat. KShZ është e obliguar të vendosë rreth ankesave të kandidatëve në procedurën për votim, grumbullim dhe konstatim të rezultateve të votimit në afat prej 48 orëve pas pranimit. Kundër vendimit të KShZ-së mund të parashtrohet padi në Gjykatën Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata administrative e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq, pas ankesës është e obliguar të sjellë vendim në afat prej 48 orëve pas pranimit të saj.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor.