Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar Rregullore të re për punën e saj por edhe mënyrën e procedurës për zgjidhjen e ankesave. Deri tash KSHZ ka punuar me rregullore të përkohshme. Në rregulloren e re, siç njofton nënkryetari i KSHZ-së Rexhep Prekopuca, janë rregulluar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e punës së KSHZ-së. Konvokimi i mbledhjeve, obligimet dhe të drejtat e kryetarit, nënkryetarit, anëtarëve të KSHZ-së, procedura e marrjes së fjalës por edhe shumë çështje të tjera.
“Duhet të theksohet se në këtë rregullore janë përfshirë edhe disa vërejtje të cilat kanë ardhur nga misioni OSBE /ODIHR dhe disa nga sygjerimet e ekspertit i cili ka punuar tre muaj këtu në KSHZ nga Komisioni i Këshillit të Evropës”.
Në rregulloren e re të KSHZ-së është parashikuar edhe bashkëpunimi me mediat, koha e informimit për seanca e kështu me radhë. KSHZ aprovoi edhe udhëzimin për shqyrtimin e ankesave gjatë zgjedhjeve, i cili shkurton mundësitë e ndikimit të partive politike në vendimmarrje të KSHZ-së. Këto dy dokumente të miratuara do të publikohen edhe në Gazetën Zyrtare dhe ueb faqen e KSHZ-së. Në seancën e sotme KSHZ solli vendim për shpërndarjen e mjeteve sipas ligjit, për partitë pjesëmarrëse në Zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Sipas këtij vendimi, koalicioni VMRO-DPMNE me partitë tjera, merrë gjashtë milion e 800 mijë denarë, këto janë shifra të rrumbullakësuara, pastaj PDSH 455 mijë denarë, BDI një milion e 277mijë denarë, koalicioni i udhëhequr nga LSDM 6 milion e 554 mijë denarë, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët merrë 526 815 mijë denarë, VMRO Për Maqedoninë 354 mijë denarë, Lëvizja BESA 868 mijë denarë dhe partia politike “Levica” 68 348 denarë”
Vendimi që partitë politike të marrin para nga Buxheti i shtetit për pjesëmarrje në proceset zgjedhore, vite më parë e solli Kuvendi si ligj, i cili parashikon që partitë pjesëmarrëse në zgjedhje të marrin para në bazë të votave të fituara.
Mefail Ismaili /SHENJA/

