Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po i shqyrton ankimimet e partive politike rreth procesit zgjedhor, në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale. Nga 46 ankesa gjithsej, 43 janë të VMRO-DPMNE-së.
KShZ hodhi poshtë tre ankesa të VMRO-DPMNE-së dhe atë një ankesë për Gjorçe Petrovin dhe dy ankesa për zgjedhjet në Prilep.
Për një ankesë pritet të dëshmojnë anëtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor nga Komuna Qendër e Shkupit dhe Këshilli Zgjedhor nga vendvotimi 2806/1.
“Kërkoj që kolegët të shprehen sipas detyrës nëse duhet që të hapim kutinë e votimit për të konstatuar nëse është thyer parimi një votues një votë”,- tha anëtarja e KShZ-së, Silvana Boneva.
“Nga ajo që pashë në origjinalin, çdo gjë është nënshkruar sipas procedurës, sipas nenit 117 dhe mendoj se kjo ankesë nuk ka bazë”,- tha anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
“Kjo ankesë është e pabazë, pasi procesverbali origjinal është hartuar në harmoni me nenin 117 dhe është i vlefshëm, pasi është nënshkruar nga shumica e anëtarëve të këshillave vendorë”,-theksoi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
Sa i përket ankesës së VMRO-DPMNE-së për një vendvotim në komunën Qendër, anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve vendosën që t’i ftojnë anëtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor nga komuna Qendër dhe Këshillin Zgjedhor nga vendvotimi 2806/1, sepse gjatë ekspertizës në materialet e votimit në rrethin e parë në zgjedhjeve lokale u vërtetua se një qytetar është lejuar të votojë pa u nënshkruar në certifikatën e Listës Zgjedhore.
Në këtë vendvotim, KShZ-ja ka konstatuar se në të gjitha katër kutitë është gjetur tepricë për një fletëvotim. Numri i përgjithshëm i personave të nënshkruar në Listën Zgjedhore arrin në 351, ndërsa përmbledhja e fletëve që kanë qenë nëpër kuti është 352.
VMRO, gjatë ditës sotme, tërhoqi katër nga 43 ankesat e saj.
Deri në skadimin e afatit, partitë politike dorëzuan në KShZ gjithsej 46 ankimime, prej tyre 43 ishin të VMRO-DPMNE-së.
Një ankimim kishte Bashkimi i Përhershëm Radikal Maqedonas “TMRO” për votim në Qytetin e Shkupit, një ankimim kishte partia “E Majta” për Kumanovën dhe një ankimim Partia Aleanca për Shqiptarët, e cila kishte dorëzuar ankimim për një vendvotimin në Gostivar.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, KShZ duhet t’u përgjigjet të gjitha ankimimeve në një afat prej 48 orësh.