Për t’i transferuar nga kufiri jugor me Greqinë në kufirin verior me Serbinë, trafikantët u marrin migrantëve – që kryesisht vijnë nga vendet e Afrikës së Veriut, Siria, Iraku, Pakistani dhe Afganistani – nga 800 deri në 1.000 euro. Kështu i tha Radios Evropa e Lirë Kryqi i Kuq në Maqedoninë e Veriut.
Suzana Tuneva, nga kjo organizatë, thotë për REL-in se ekipet e Kryqit të Kuq që veprojnë në terren hasin gjithnjë e më shumë raste ku migrantët janë viktima të dhunës fizike dhe psikike nga trafikantët.
“Në terren hasim në shumë raste ku është ushtruar dhunë ndaj migrantëve, të cilët kanë shenja në trup nga rrahja. Madje, kemi raste që kanë humbur pjesë të gjymtyrëve gjatë aksidenteve të automjeteve të drejtuar nga trafikantët që i transferojnë ata nga një pjesë e territorit në një pjesë tjetër”, thotë Tuneva.
Sipas saj, këta migrantë nuk janë të interesuar të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut, veç atyre që për shkak të lëndimeve trupore apo problemeve shëndetësore, nuk arrijnë të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut ndodhen 13 migrantë, vetëm dy gra nuk kanë lëndime, derisa atë tjerët kanë lëndime trupore ose kanë humbur ndonjë gjymtyrë gjatë rrugës, ose dhe kanë plagë të tjera. Kështu, ata janë detyruar të kërkojnë azil në vendin tonë për të vazhduar mjekimin”, tregon Tuneva./REL