Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot realizoi takim protokollar me ambasadorin e Hungarisë në Republikën e Maqedonisë, Ishtvan Duks, njoftoi shërbimi për shtyp i Kuvendit. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit këmbyen mendime në raport me bashkëpunimin bilateral dhe multilateral ndërmjet dy vendeve, me ç’rast ambasadori Duks theksoi se Hungaria është përkrahës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë në integrimet euroatlantike. Gjithashtu, ambasadori Duks u falënderua për bashkëpunimin altruist të Republikës së Maqedonisë në lidhje me mbylljen e Rutës emigrante ballkanike, ku Hungaria e jep kontributin e vet në kontrollimin e kufirit me fqinjin tonë jugor.
Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, nënvizoi se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Hungarisë, si në planin bilateral ashtu edhe në planin multilateral, janë të shkëlqyera dhe paraqesin bazë të fortë për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik. Marrëdhëniet e mira, mospasja e çështjeve të hapura dhe përmirësimi i kornizës ligjore kontribuojnë në rritjen e investimeve hungareze në Republikën e Maqedonisë. Në fund të takimit, kryetari Xhaferi edhe njëherë e riafirmoi ftesën e hapur për kolegun e tij hungarez, Llasllo Kover, për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.