“Të nderuar shokë, miq dhe dashamirë,
Të nderuar banorë të Çairit – folesë së esnafëve, shëmbëlltyrës dhe miniaturës së Ballkanit,
Përmes këtij mesazhi, dëshiroj t’ju informoj se, në kuadër të reformave të realizuara në partinë AlternAtivA, me propozim të kryetarit të partisë, Afrim Gashi, si dhe me miratimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Bekim Sali, Sekretarit Organizativ, Mubekir Palloshi, ndërsa të pranuar dhe të mbështetur në mënyrë unanime nga Kuvendi i Degës së Çairit, u vendos që unë të jem kryetar i degës së Çairit.
Kjo për mua është një përgjegjësi e shumëfishtë dhe shumëplanëshe. Po e marr këtë detyrë duke qenë i vetëdijshëm se duhet t’i prij degës që është bastion i Alternativës, duke qenë i ndërgjegjshëm se po vij në këtë detyrë pas drejtimit 6-vjeçar të kësaj dege nga simboli i Çairit, Bekim Sali, dhe duke e ditur se në Çair na pret një betejë e fuqishme dhe një fitore e madhe. Prandaj, më shumë se privilegj, kjo për mua është një amanet.
Kur u zgjodh halife, Omeri r.a. e tha fjalën që më vjen mua ta them sot: “O Ebu Bekër (r.a.) po na le një barrë të madhe. Ke qenë aktiv në vepra të mira dhe ke qenë afër popullit si udhëheqës. A thua edhe ne do të mund të veprojmë si ti?!”. Të vish në krye të Degës së Çairit pas Dr. Bekimit është përafërsisht një sfidë e këtillë. Ish kryetari i degës sonë, Bekimi, ka qenë dhe mbetet i palodhshëm në aktivitete, i afërt me secilin qytetar në Çair, korrekt në bashkëpunim me kryetarët e nëndegëve dhe vëllazëror me të gjithë aktivistët. Nëse ka koincidencë në emrat personalë, Bekimi ka qenë bekim për ne.
Duke ardhur në këtë detyrë pas një esnafi të Çairit, vërtet e kam vështirë, por gjithnjë mbetem me bindje se ata që ma kanë dhënë këtë detyrë edhe do të mbështesin në këtë sfidë.
Çairi ka Alternativë!
Na priftë e mbara dhe mirupafshim në suksese!”, ka shkruar Erhan Zuberi, kryetari i Degës së Çairit.