Debati mbikëqyrës në të cilën do të debatohet për efektet e ndotjes së ajrit do të mbahet në Komisionin për shëndetësi.
Nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit pasdite informuan se ai e ka emëruar këtë Komision si organ punues amë për debatin.
“Më 30 janar 2025, është dorëzuar Kërkesë nga 20 deputetë drejtuar Kryetarit të Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit, nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit, për mbajtjen e një debati mbikëqyrës mbi efektet e ndotjes së ajrit në Shkup dhe qytetet e tjera në shëndetin e njerëzve dhe masat që ndërmerren për mbrojtjen e shëndetit publik. Më 6 shkurt 2025, kryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues, Apasiev, njoftoi se debati mbikëqyrës do të mbahet më 25 shkurt 2025. Disa nga anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 13 shkurt 2025, me numër arkivor 17-933/1, dorëzuan Njoftim drejtuar Kryetarit në lidhje me debatin mbikëqyrës të Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit, i planifikuar për datën 25 shkurt 2025, me temë: “Efektet e ndotjes së ajrit në Shkup dhe në qytetet e tjera në shëndetin e njerëzve dhe masat që ndërmerren për mbrojtjen e shëndetit publik”, me të cilën sygjerojnë se ka procedura që nuk janë në përputhje me Rregulloren e Punës”, theksohet në përgjigjen me shkrim të kryetarit të Kuvendit.
Këto sygjerime i janë përcjellë Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit në përputhje me nenin 62 pika 3 e Rregullores së Punës, gjë për të cilën u informua edhe Apasievi.
Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit e shqyrtoi lëndën dhe më 17 shkurt konstatoi se nuk janë respektuar rregullat procedurale. Rrjedhimisht, më 19 shkurt, Kryetari e informoi Apasievin se debati i caktuar nuk mund të vazhdojë në ato rrethana. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se debati mbikëqyrës nuk do të mbahet; por duhet të zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara.
Për të siguruar mbikëqyrjen e duhur parlamentare dhe për të ruajtur besimin e publikut, 61 deputetë parashtruan kërkesë të re në pëpruthje me nenin 214. Kryetari e ngarkoi Komisionin e Shëndetësisë si trup punues amë në lidhje me debatin, duke garantuar respektimin e rregullave procedurale dhe duke siguruar që çështjet kritike si ndotja e ajrit dhe shëndeti publik të marrin vëmendjen e duhur. Komisioni i Shëndetësisë tani do ta thërrasë mbledhjen në mënyrë përkatëse, për të siguruar që debati të zhvillohet në mënyrë të organizuar, në përputhje me Rregulloren e Punës dhe ligjin.
Mbikëqyrja parlamentare është thelbësore, por edhe respektimi i Rregullores së Punës, për të ruajtur besueshmërinë dhe llogaridhënien. Kuvendi mbetet i përkushtuar në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme publike, duke garantuar integritetin procedural.