Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar, nga dita e nesërme do të marrë pjesë në takimin e 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) që mbahet në Davos të Zvicrës informon Tetovasot.
Forumi i sivjetshëm, i cili zhvillohet nën moton “Në frymën e dialogut”, mbledh mbi 65 krerë shtetesh dhe qeverish, me synim gjetjen e zgjidhjeve për sfidat më të mëdha globale.
Gjatë qëndrimit në Davos, kryeministri Mickoski do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të korporatave kryesore botërore dhe institucioneve financiare, ku do të prezantojë mundësitë dhe përparësitë për investime në ekonominë maqedonase, me theks të veçantë në sektorin e energjetikës dhe teknologjisë.
Delegacioni qeveritar do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm, ku do të prezantohen planet strategjike të vendit për transformimin energjetik dhe lidhjen infrastrukturore të rajonit transmeton Tetovasot.
Po ashtu, gjatë samitit, kryeministri Mickoski pritet të marrë pjesë në sesione të mbyllura për liderë, si dhe në debate publike të fokusuara në inteligjencën artificiale, energjetikën dhe rrugët e reja për rritjen ekonomike në Evropë.
Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, delegacioni qeveritar do të realizojë takime edhe me përfaqësues të lartë shtetërorë dhe organizatave ndërkombëtare, me qëllim përshpejtimin e proceseve reformuese dhe sigurimin e mbështetjes për projektet kyçe kombëtare.


