Në Kroaci filloi bojkotimi i dyqaneve, zinxhirëve të shitjes me pakicë dhe pompave të benzinës për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve, bazuar në një iniciativë që ka filluar në grupin e Facebook-ut “Alo, Inspektor”, i cili është mbështetur nga Qendra Evropiane për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Gjatë kësaj periudhe, kjo nismë është mbështetur edhe nga kompani mbrojtëse të konsumatorëve, sindikata, parti politike, dhe madje edhe nga vetë ministri i Ekonomisë.
Kjo iniciativë ka filluar me mesazhe që janë shpërndarë në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit. “Më 24 janar, në Kroaci do të ketë bojkot kundër çmimeve të larta të ushqimit”.
Përmes mesazheve bëhet thirrje që njerëzit të mos blejnë asgjë atë ditë, asgjë absolutisht. “Përgatituni për atë ditë si për një të dielë,” thuhet në mesazhe.
Të dhënat tregojnë se çmimet e konsumit në Kroaci, të matura sipas HICP, në dhjetor 2024 janë rritur me 4,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që është rritja më e lartë që nga maji. Kroacia është ndër tri shtetet e BE-së me inflacionin më të lartë, pas Rumanisë (5,5%) dhe Hungarisë (4,8%).
Ministri i Ekonomisë, Ante Šušnjar, e mbështeti iniciativën dhe theksoi se Qeveria po punon për zgjerimin e listës së produkteve me çmime të kufizuara. Ndërkohë, edhe partitë opozitare mbështetën bojkotin, duke e kritikuar Qeverinë se nuk ka marrë masa për të kontrolluar inflacionin.