Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Krimi Ekonomik, kanë kryer kontrolle në pikën e grumbullimit në Divjakë, pasi Kroacioa bllokoi një ngarkesë me speca djegës nga Shqipëria, pasi rezultoi se perimet kishin pesticide të ndaluara.
Mësohet se ngarkesa prej 8216 kilogramë spec djegës është marrë nga zona e Mollasit dhe Cërrikut të Elbasanit.
Ngarkesa e bllokuar nga Kroacia përbëhej nga speca, të cilët pas analizave rezultuan me mbetje të Flonicamidit, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad, substanca kimike të ndaluara në tregjet e Bashkimit Europian përtej niveleve të lejuara.
Lajmi u bë publik nga burime pranë autoriteteve kroate të kontrollit ushqimor, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shqipëri.
Ngjarja vjen pas disa rasteve të ngjashme gjatë muajve të fundit, ku produkte të tjera bujqësore nga Shqipëria janë kthyer mbrapsht nga vende si Kroacia, Italia dhe Greqia, për shkak të pesticideve jashtë normave të lejuara.
Kujtojmë se sipas sistemit të RASFF (Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë në BE), Shqipëria rezulton mes vendeve me numrin më të lartë të paralajmërimeve për produktet bujqësore me mbetje të rrezikshme kimike.