Bullgaria do t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut për tu përballur me krizën energjetike. Në takimin kryeministrit Dimitar Kovaçevski me homologun e tij bullgar Galab Donev u dakorduan për formimin e një grupi pune, i cili do të përbehet nga Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Energjetikë së Bullgarisë si dhe resorët tjera për energjetikë, ku do të merren vesh për kapacitet dhe transportin e energjisë elektrike, çmimet dhe sasia që i nevojitet Maqedonisë.
“Shpresoj se grupi i punës i cili do të fillojë të punojë menjëherë pas festës në Bullgari dhe para festës tonë shtetërore, që do të thotë të mërkurën, në periudhë prej 2 javësh do të kemi zgjidhje që do të jetë në interes edhe të Bullgarisë edhe të Maqedonisë së Veriut dhe ekonomisë së dy vendeve”, tha Dimitar Kovaçevski.
“Gjithashtu folëm për thellimin e bashkëpunimit në fushën e gazit natyror, me transmetim dhe ruajtje e gazit natyror, si në plan afat të mesëm ashtu edhe në plan afatgjatë. Do të arrihen marrëveshje për rezervimin e një sasie të caktuar për ruajtën e gazit natyror në depot e Bullgarisë, ashtu që Maqedonia e Veriut të mund të shfrytëzoj gaz nga Interkonektori dhe terminali i ri që po ndërtohet”, tha kryeministri i Bullgarisë, Galab Donev.
Në takim është diskutuar edhe për çështjet me interes të përbashkët, si raportet bilaterale dhe ruajtja e marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore.