Shtetasi i Maqedonisë, i kërkuar me urdhër-arrest evropian për vrasje para 28 vjetësh dhe i arrestuar në fund të majit të këtij viti në qytetin grek të Katerinit, nuk do të ekstradohet në Maqedoni, për shkak të vjetërsimit të lëndës, ka vendosur gjykata në Selanik, raporton agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.
Me refuzimin e kërkesës për ekstradim, gjykatësit kanë vendosur gjithashtu të lirojnë personin nga masa e paraburgimit.
Vrasja, për të cilën 60-vjeçari ishte i kërkuar me urdhër-arrest evropian, ka ndodhur në Maqedoni në nëntor të vitit 1997, dhe viktimë ishte një shtetas i Maqedonisë, 37-vjeçar. Kryerësi i veprës ishte dënuar atëherë me 15 vjet burg, por kishte ikur në Greqi. Para gjashtë muajsh, ai u arrestua në Katerini.
Sipas dokumenteve gjyqësore dhe materialeve të prokurorisë në Maqedoni, 60-vjeçari shkaktoi me qëllim një aksident trafiku. Kur viktima doli nga automjeti për të parë dëmet, ai qëlloi ndaj tij dhe e vrau. Një vit më pas u mbajt gjykimi dhe ai u dënua me 15 vjet burg.
Para gjykatës në Selanik, ai ka shpjeguar se pas lirimit nga paraburgimi iku dhe u vendos në Greqi, ku aktualisht ka një biznes me dhoma me qira në rajonin e Pierias.
“Përmes avokatëve të tij, ai deklaroi se në atë periudhë kishte shërbyer në sigurimin personal të presidentit të atëhershëm të shtetit, Kiro Gligorov, dhe se ishte targetuar për arsye politike. Sipas pretendimeve të tij, ai ishte mbajtur në paraburgim për 90 ditë, pastaj u lirua, dhe më pas iku me një pasaportë të lëshuar nga autoritetet e vendit të tij dhe u vendos në Greqi,” shkruan ANA-MPA.
Duke qenë se dënimi ishte shqiptuar mbi 20 vjet më parë, sipas ligjit penal grek rasti është vjetërsuar, ndaj gjykatësit refuzuan kërkesën për ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për shtetasin Aco Bocevski, i njohur me nofkën nofkën “Ciganot”, i cili në Maqedoni u dënua me 15 vjet burg.


