Presidenti i Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, mbajti një konferencë online për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të projektit “Shkolla Rinore Köprü 2020” (KGO), raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e organizuar nga Shoqata Kulturore, Artistike dhe Arsimore “Köprü” me qendër në Shkup në kuadër të projektit “Shkolla Rinore Köprü 2020”, e cila realizohet brenda projektit “Shkolla Rinore Ballkanike” në vendet e Ballkanit, krahas Eren, morën pjesë edhe kryetari i Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), njëherësh kryetar i shoqatës “Köprü”, Hüsrev Emin, koordinatori i YTB-së për Ballkanin, Nedim Aslan, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, nënkryetari i shoqatës “Köprü” dhe koordinatori i projektit, Mehmed Arif, si dhe studentë dhe nxënës.
Në fjalën e tij në konferencën online me titull “Reflektimet në botë të pandemisë COVID-19 dhe aktivitetet humanitare të Turqisë”, Eren tha se koronavirusi, duke qenë një pandemi globale, ka ndikuar te njerëzit në pothuajse të gjitha vendet, duke ndryshuar shumë shprehi dhe duke bërë që t’u jepet rëndësi takimeve online.
YTB po shënon përvjetorin e saj të dhjetë dhe brenda këtyre viteve, ajo është përpjekur që t’i japë rëndësi të veçantë Ballkanit, tha Eren, duke shtuar se është e nevojshme që të rinjtë e Ballkanit të komunikojnë me të rinjtë në Turqi dhe ndërmjet vete.
“Ne jemi përpjekur të organizojmë programe të cilat synojnë zhvillimin e komunikimit dhe lidhjeve mes të rinjve në vendet e Ballkanit”, deklaroi Eren.
Ai tha se një nga synimet e Shkollës Rinore Ballkanike është që vëllazëria të shndërrohet në bashkëpunime konkrete dhe të përafrohen botëkuptimet.
“Para së gjithash, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi që do ta vendosin të rinjtë e vendeve të Ballkanit, sepse ne ndajmë së bashku një histori me rrënjë të thella. Gjyshërit tuaj dhe gjyshërit tanë ishin vëllezër në të kaluarën. Kështu që nuk ka asnjë arsye pse të mos jemi vëllezër sot”, potencoi Eren.
Ai rikujtoi se nxënësit dhe studentët nga Ballkani marrin bursa nga projekti “Bursat e Turqisë” në kuadër të YTB-së dhe tha se ndihen të lumtur për ndihmat që Turqia i ka realizuar në vendet e Ballkanit kundër pandemisë COVID-19.
“Shpresoj që të vazhdojmë të jemi pranë Maqedonisë së Veriut, që është vend mik dhe vëlla, në lidhje me koronavirusin”, tha Eren, duke potencuar se rajoni i Ballkanit dhe Maqedonia e Veriut kanë rëndësi të madhe për Turqinë.
Duke shpalosur informacione mbi aktivitetet e YTB-së, Eren tha se ky institucion merret me diasporën turke, përpiqet të forcojë lidhjet me bashkatdhetarët dhe ofron bursa për studentë të huaj.
Ai nënvizoi se Turqia prej vitesh po ndjek një politikë të përqendruar në njeriun.
Ndërkaq, kryetari i shoqatës “Köprü”, Emin, tha se sot organizuan aktivitetin e dytë të programit KGO të mbështetur nga YTB, pas hapjes javën e kaluar.
Ai theksoi se për shkak të pandemisë COVID-19, aktualisht do të vazhdojnë nga një herë në javë me mënyrën online të aktiviteteve.
“Kur rrethanat të lehtësohen dhe të arrijmë në një pikë të caktuar në luftën kundër COVID-19, shpresoj ta përfundojmë me linja të tjera projektin KGO të organizuar nga shoqata ‘Köprü’ në kuadër të projektit të Shkollës Rinore Ballkanike, ashtu siç e kemi planifikuar, sikurse vitin e kaluar”, tha Emin.
Emin falënderoi kreun e YTB-së Eren për aktivitetet në rajon.
Në projektin KGO që synon që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre personale, të fitojnë përvoja të ndryshme dhe të pasurojnë jetën e tyre sociale, do të organizohen lexime librash, seminare të mendimit dhe historisë, seminare të zhvillimit personal, kampe trajnimi, aktivitete sportive dhe udhëtime kulturore.
Konferenca e sotme online u transmetua drejtpërdrejt në Facebook.
Ditë më parë, Eren mbajti një fjalë përshëndetëse në programin online të hapjes së Shkollës Rinore Ballkanike që u realizua nga Shoqata Vizioni M në Shkup.