20 Dhjetor
Kreu i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi dhe ai i Shqipërisë Gramos Ruçi, gjatë takimit në Tiranë rikonfirmuan angazhimin për marrëdhënie të mira mes dy vendeve si dhe mbështetjen ndaj njëra-tjetrës në proceset euro-integruese. Xhaferi deklaroi se vizita është vazhdimësi e bashkëpunimit ndërinstitucional kurse Ruçi shprehu gatishmërinë e Tiranës zyrtare për të mbështetur Maqedoninë edhe në procesin e anëtarësimit në NATO.
Xhaferi mes tjerash dënoi dhunën e ndodhur në Kuvendit e Shqipërisë dy ditë më parë, kur shumica votoi Kryeprokuroren e Përkohshme duke shtuar nga ana tjetër, se protestat janë e drejtë e pakontestueshme e secilit. Ai dhe homologu i tij shqiptar, theksuan rëndësinë e seancës së parë të përbashkët ndërqeveritare mes dy vendeve që u realizua gjatë javës së kaluar si dhe të marrëveshjeve për projekte, të miratuara mes dy Qeverive. Në kuadër të kësaj vizite, Xhaferi takoi edhe Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta si dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Gjatë ditës së enjte, ai pritet të vizitojë Pustecin.
Fatlume Dervishi

