Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ashpër ndaj propozimligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si “vulë e nënshtrimit” dhe një përpjekje të dështuar për të mashtruar qytetarët gjatë fushatës (para)zgjedhore. Sipas Llogës, ky ligj nuk është asgjë tjetër veçse një “gomë shpëtimi” për VLEN-in dhe VMRO-në që po përpiqen ta paraqesin si avancim të përfaqësimit.
“Me këtë zgjidhje rikthehet, në formë tjetër, Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, që ishte zëvendësuar me sukses me mekanizmat e rinj institucionalë”, thekson Lloga.
Ai shton se propozimi është një “grumbull parimesh doktrinare dhe të pazbatueshme në praktikë”, për shkak të mungesës së mekanizmave të kontrollit, detyrimit dhe sanksionit. Trupi Koordinues, sipas tij, do të mbetet një organ formal pa ndikim, i ngjashëm me rolin e avokatit të popullit.
Lloga e cilëson VLEN-in si një konglomerat të paaftë dhe pa dinjitet, që qëndron në pushtet me çdo kusht, madje edhe si humbës, vetëm për të mbajtur poste.
Ai shprehet i bindur se ky ligj nuk do të kalojë në Kuvend, për shkak të mungesës së shumicës së dyfishtë (Badenteri), por do të përdoret nga VLEN dhe DPMNE si vegël për retorikë parazgjedhore.
Në përmbyllje, Lloga e quan procesin zgjedhor të ardhshëm një referendum për shqiptarët:
“A duan shqiptarët të jenë vasalë, apo zotër në këtë shtet të përbashkët?”