Koordinatorja e grupit të këshilltarëve të Lëvizjes BESA në Çair, Xhemile Memedi është zgjedhur kryetare e Këshillit komunal të Çairit. Këtë zgjedhje komuna e ka cilësuar si të duhur dhe në interes të përgjithshëm. Ndërkaq i menjëhershëm ka qenë reagimi Lëvizjes Besa, e cila këtë veprim e ka cilësuar si afrim të grupit të ish kryetarit Kasami me BDI, njofton Almakos.
Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla thotë se për zgjedhjen e Memedit kryetare të këshillit të komunës “pro” kanë votuar 15 këshilltarë, dhe sipas tij kjo është rezultat I mirëkuptimit dhe vullnetit në interes të përgjithshëm të qytetarëve
“Kryetarja e këshillit është pjesë e subjektit politik Lëvizja Besa, njëherit koordinatore e emëruar e grupit të këshilltarëve të këtij subjekti me dokument të nënshkruar dhe e njëjta nuk i bashkëngjitet koalicionit LSDM-BDI, por vazhdon të jetë përfaqësuese e Lëvizjes BESA”, thonë nga komuna Çair.
Nga Lëvizja BESA thonë se dy anëtarë të tyre janë bashkuar këshilltarëve të BDI.
“Përveç që kjo është tradhti ndaj këshilltarëve të tjerë të Besës, që ishin marrë vesh për shumicën e re në Këshill dhe, madje, për emrin e kandidatit, kjo që ndodhi sot në Çair e shpjegon më mirë dhe më saktë se kush është edhe porositësi dhe sponsorizuesi i përplasjeve në Lëvizjen Besa”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA.
Kujtojmë nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale, komuna e Çairit numëron gjithsej 27 këshilltarë, ku nëntë prej tyre janë BDI, tetë Lëvizja BESA, dy Aleanca për Shqiptarët, dhe nga katër kanë LSDM dhe VMRO.
Mevludin Imeri
Alamakos.com