Bullgaria nuk po i respekton të drejtat e maqedonasve që jetojnë atje, e me këtë nuk po i respekton të drejtat themelore të njeriut që janë përcaktuar nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut, thotë Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke i apeluar Sofjes që të respektojnë aktvendimet e Gjykatës së Strasburgut. Siç shprehet, maqedonasit në Bullgari duhet të gëzojnë të drejtat e tyre si një popull europian sepse fundja Bullgaria është shtet i integruar në Bashkimin Evropian. Kovaçevski dyshon se ka politikanë të cilët dëshirojnë prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bëjnë propaganda për interesa të vendeve të treta.
“Ka politikanë në Bullgari, ka politikanë gjithandej të cilët duan të prishin marrëdhëniet mes shteteve fqinje dhe mes shteteve në rajonin e gjerë. Ekzistojnë dhe individë dhe propagandues të cilët punojnë për interesat e palëve të treta të cilët nuk duan të shohin këtë rajon të integruar në BE. Konsideroj se ne duhet të kemi marrëdhënie institucionale në nivel sa më të lartë me të gjithë fqinjët tanë, siç kemi me Serbinë, me Shqipërinë dhe me të tjerët dhe duhet të jemi në këtë nivel të lartë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.