Përmes takimit të sotëm me liderët e partnerëve të koalicionit, kryeministri Dimitar Kovaçevski dërgoi porosi të drejtpërdrejtë dhe të qartë deri te opozitarja VMRO-DPMNE për të mbështetur integrimin europian të vendit. Ai në këtë takim informoi edhe për vizitën në SHBA dhe bisedimet me Blinken dhe Eskobar, ku u tha se Maqedonia duhet të bëhet pjesë e BE-së. Qëllimi ynë është anëtarësim i plotfuqishëm në BE deri në vitin 2030, porositi Kovaçevski dhe i thirri partitë, posaçërisht VMRO-DPMNE-në, që të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për proceset euro-integruese.
“Ata që e bllokojnë vendin tonë drejt rrugës europiane duhet të vendosin çka më tej. VMRO-DPMNE duhet të vendos nëse do i bashkëngjitet bllokut europian apo do të mbetet peng i Levicës. Në këtë kontekst edhe përfaqësuesi i lartë i SHBA-ve, z.Eskobar dërgoi porosi të qartë deri te opozita se nuk duhet të më mbështet mua por duhet të mbështes ardhmërinë europiane të qytetarëve tanë.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Por çfarë nëse ndodh që të mos plotësohet obligimi për ndryshime kushtetuese që është kusht për negociatat me BE-në, nëse Kovaçevski mendon të japë dorëheqje si akt përgjegjësie?
“Nuk mendoj, për shkak se qeveria ka kompetenca të saj në lidhje me udhëheqjen e shtetit, ndërsa obligim për ndryshimet kushtetuese është shumica e dy të tretave, ky është obligim jo vetëm i qeverisë por e të gjitha faktorëve politikë dhe shoqërorë në shtet, ky është obligim i çdo deputeti. Mandati i qeverisë nuk ka lidhje me votimin e ndryshimeve kushtetuese, por kjo qeveri do të tregojë se kemi shumicë parlamentare që është e orientuar proeuropiane dhe shpresoj se opozita në fund do të sjellë vendim që t’i bashkëngjitet bllokut europian.”- tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Nga VMRO-DPMNE dolën me reagim dhe thonë se Kovaçevski duhet të ballafaqohet me faktin se nuk ka shumicë të dy të tretave. Kërkojnë që të japë dorëheqje.
“Dimitar Kovaçevski menjëherë, që sot të dorëzojë propozim për ndryshimet kushtetuese në Kuvend që të ballafaqohet me faktin se nuk ka shumicë të dy të tretave. Kur nuk do të kalojnë këto ndryshime kushtetuese, frikacaku Dimitar Kovaçevski të japë dorëheqje të parevokueshme. Ai thotë se nuk do të japë dorëheqje nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe kjo tregon se ai është një njeri i frikësuar i cili po i ikën ballafaqimit me popullin.”- thanë VMRO-DPMNE.
Në lidhje me papajtueshmëritë në një pjesë të partive të vogla dhe paralajmërimet e tyre për dalje nga Qeveria, kryeministri Kovaçevski tha se ka biseduar me ta dhe se po bëhen përpjekje për plotësimin e kërkesave të tyre.