Politikat e Qeverisë dhe ekipit me përvojë që punoi për tejkalimin e sfidave të krizës energjetike kanë rezultate të dukshme. Qytetarët janë të bindur se Qeveria nuk do të lejojë goditje çmimi për popullatën dhe për konsumatorët e vegjël të energjisë elektrike, gjë që u vërtetua me çmimet e energjisë elektrike të shpallura sot nga Komisioni Rregullator për Energji, tha sonte kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në një intervistë për Radio Televizionin Maqedonas (RTM), ai theksoi se nga 1 janari rryma për amvisëri për bllokun e parë dhe të dytë është në ulje, ndërsa për bllokun e tretë dhe të katërt vetëm do të rritet.
“Në bllokun e katërt ka rritje çmimi, por ka qytetarë dhe familje që konsumojnë sasi më të mëdha energjie, që ngrohin sipërfaqe më të mëdha, disa prej tyre ngrohin edhe pishinat gjatë periudhës së dimrit. Ata mund të përballojnë një konsum të tillë”, tha kryeministri Kovaçevski.
Ulje çmimi prej 20.15 për qind, siç tha ai, është për konsumatorët e vegjël të energjisë elektrike, pra për 72 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme që punësojnë 98 për qind të punëtorëve në vend.
“Ky është konfirmimi më i mirë i asaj që kemi thënë gjatë njëmbëdhjetë muajve të mandatit të kësaj qeverie. Në kabinetin tim kam punësuar këshilltarë me përvojë të madhe në fushën e energjisë, punojmë si familje, me plan, me njohuri. Me përpjekjet e bëra nga të gjitha institucionet, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Financave, Zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, menaxhmentin e kompanive shtetërore nga sektori i energjisë elektrike dhe kompanitë private, para së gjithash e kam fjalën për EVN-në, u vërtetua se qytetarëve mund t’u realizohet ajo që u është premtuar dhe ne kemi premtuar se nuk do të ketë goditje çmimi për qytetarët, tha Kovaçevski.
Ai bëri të ditur se subvencionet për përballimin e krizës ekonomike dhe energjetike do të vazhdojnë edhe në vitin 2023, për të cilën, siç tha, në Buxhet janë ndarë 250 milionë euro.
“Pjesa më e madhe e atyre mjeteve financiare janë për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, për shkollat e mesme dhe fillore. Këtu janë edhe objektet industriale që punojnë në prodhimin e produkteve bazë ushqimore dhe qëllimi ynë ka qenë që të qetësojmë rritjen dhe uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në treg, gjë që po ndodh edhe në tregje”, theksoi Kovaçevski.
Sa i përket subvencioneve të shkruara në faturat e rrymës, ai tha se janë një mundësi që qytetarët të kenë pasqyrë se ku shpenzohen paratë nga Buxheti, por edhe se janë një nxitje që qytetarët të kursejnë edhe më shumë.
“Çdo kursim më i madh në energji elektrike do të thotë më pak nevojë për subvencione nga Qeveria. Në muajt e kaluar, pasi kemi prezantuar rekomandimet për kursim të energjisë elektrike, institucionet dhe ministritë nën juridiksionin e Qeverisë kanë pasur mesatarisht 20 për qind kursim të energjisë elektrike. Amvisëritë në tarifë të shtrenjtë me futjen e blloqeve dhe me futjen e këtij lloji të informacionit për kursimin e energjisë elektrike kanë arritur kursim prej 16,5 për qind në krahasim me vitin e kaluar”, theksoi kryeministri. FLAKA