Kryeministri Dimitar Kovaçevski me reagim të ashpër lidhur me paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për bllokim të Kuvendit. Thotë se partia opozitare po sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe se gjithçka po bëhet me urdhër të Gruevskit. Bllokimi i Kuvendit në këto kushte krize, është gjëja më e keqe që mund ta bëjë një politikan, kurse ata ende po bllokojnë mbi 50 ligje, tha Kovaçevski.
“Kjo është sjellje e papërgjegjshme e cila askujt nuk i sjell të mirë, përveç atij që po e bën këtë, e ai është Nikolla Gruevski, i cili padyshim ende i jep urdhra kryetarit të VMRO-DPMNE-së për të bërë hapa të tillë. Aspak nuk i ngjan një partie demokratike të numërojë ditë, sot ka qenë dita e pestë, pastaj dita e katërt dhe të përdorë shantazhe dhe kërcënime”, tha DImitar Kovaçevski, kryeministër.
Vendimi për zbatim të bllokadës në Kuvend u konfirmua edhe në seancën e mbrëmshme të Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së pas çka u dërgua mesazh se bllokadë do të ketë derisa pushteti pajtohet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mickoski sot përsëri kërkoi nga LSDM-ja të ulen dhe të merren vesh për datën e zgjedhjeve ndërsa tha se nuk ka pranuar porositje prej askujt.
“Përfundimin që e sollëm dje në seancën e Komitetit ekzekutiv në fakt është reagim ndaj veprimit të pushtetit dhe, për të gjitha pasojat e ardhshme pushteti do të jetë përgjegjës për shkak se unë personalisht dhe VMRO-DPMNE-ja shumë herë në 100 ditët e fundit bënim thirrje për bashkim, dialog, për bisedë, që të ulemi dhe të bisedojmë për problemet, të bisedojmë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetari i VMRO-DPMNE-së.
Edhe Lëvizja Besa paralajmëroi se do t’i bashkëngjitet bllokadës.
Në paralajmërimet për bllokadë, dje reaguan edhe nga BDI-ja prej ku vlerësuan se opozita ushtron dhunë institucionale që nuk është në interes të qytetarëve. Kryeparlamentari Talat Xhaferi thotë se do të veprojë sipas Rregullores dhe se çdo parti përgjigjet para qytetarëve për veprimet e saj.