11 May
11 qershori do të jetë data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Data e mundshme e zgjedhjeve u diskutua në takimin e organizuar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me përfaqësuesit e partive politike PDK, AAK, VV dhe përfaqësues të partive të tjera kurse ftesës nuk iu përgjigjen përfaqësues të LDK-së. Mes dy datave të mundshme, partitë zgjodhën unanimisht 11 qershorin.
Si Kosovë kemi instaluar traditën e organizimit të zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike dhe të pranueshme nga të gjithë. Edhe zgjedhjet e ardhme duhet të dëshmojnë këtë organizim këtë kulturë politike, një proces elektoral të qëndrueshëm dhe të pranueshëm nga të gjithë – deklaroi president i Kosovës Hashim Thaçi.
Komisioni Qendror Zgjedhor pret bashkëpunim me të gjitha subjektet politike, dhe kontribut nga ana e tyre për zgjedhje demokratike.
KQZ në kuadër të kompetencave kushtetuese të cilat i ka do të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Presim bashkëpunim me të gjitha subjektet politike, me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Dhe njëkohësisht i ftoj subjektet politike, përfaqësuesit e tyre, që t’i respektojnë Kushtetutën dhe ligjet për zgjedhjet e përgjithshme dhe të gjitha rregullat e KQZ-së – deklaroi kryetarja e KQZ-së Valdeta Daka.
Diskutimin për datën e zgjedhjeve të reja erdhi një ditë pasi parlamenti i Kosovës votoi mocionin për Qeverinë.
Fatlume Dervishi

