Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 19 raste të reja janë diagnostikuar pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e çuar në 1.142 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), nuk është regjistruar ndonjë rast i ri që ka përfunduar me vdekje nga ky virus, por 24 pacientë të rinj kanë rezultuar të shëruar, ndërsa numri i të shëruarve deri më tani ka shkuar në 871.
Të mërkurën në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 253 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt e këtij viti deri më tani janë testuar gjithsej 15.586 mostra.
Rastet e reja pozitive janë raste kontakti nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Vushtrrisë.
Në Kosovë deri më tani nga koronavirusi me vdekje kanë përfunduar gjithsej 30 pacientë, të cilët sipas autoriteteve shëndetësore “kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”.