Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se mërgimtarët që deri më tani janë regjistruar në Gjermani si shtetas të Serbisë, tani mund ta ndryshojnë këtë status.
Në një postim të tij në Facebook, Ajeti ka bërë të ditur se mërgimtarët duhet të drejtohen te autoritetet gjermane dhe të kërkojnë që në regjistrin e shtetësisë të hiqet shtetësia serbe.
Ai ka njoftuar se ky ndryshim është i mundur pas një qarkoreje nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.
Kjo situatë, tani, sipas tij është e mundur të rregullohet falë përpjekjeve të Ambasadës së Kosovës në Berlin dhe institucioneve gjermane.
“Më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komunat e ndryshme, në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar dhe si shtetas të Serbisë. Tani e kam kënaqësinë e veçantë që se si rezultat i punës sonë, ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar do të marrë fund…Si rezultat i përpjekjeve tona të pandërprera, me shumë biseda dhe komunikime me institucionet gjermane, kemi arritur që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës dhe jo si shtetas të Serbisë”, ka deklaruar Ajeti në një video-mesazh.
Sipas tij, mbi 5,200 qendra të regjistrimit civil në të gjithë Gjermaninë kanë marrë tashmë këtë qarkore dhe janë informuar për ndryshimin e rëndësishëm.
Ajeti i ka ftuar shtetasit e Kosovës që kanë këso probleme të drejtohen te institucionet gjermane ose t’i drejtohen ambasadës së Kosovës në Gjermani.
“U bëjmë thirrje qytetarëve me vendbanim në Gjermani dhe që janë të prekur nga ky fenomen, t’u drejtohen organeve kompetente gjermane për të bërë korrigjimin e dokumentacionit. Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë”, ka deklaruar mes tjerash ambasadori.