Tensioni politik në Kosovë është shtuar gjatë ditëve të fundit, ndërsa Kuvendi u mblodh të premten në një seancë të mbushur me incidente të rënda. Si do ta përmblidhnit ju gjendjen aktuale politike në Kosovë?
Gjendja aktuale në Kosovë është e pazakontë. Përfaqësuesit zyrtarë të Kosovës, kryeministri Mustafa dhe ishkryeministri Thaçi, tani si zëvendës i Mustafës, në vite të tëra negociatash me Serbinë, kanë shkelur shumë vija të kuqe të shtetësisë së Kosovës. Ajo që po ndodh në Kosovë është një puç institucional, kur qeveritarët, pra ata që kanë pushtetin, për shkak të interesave vetjake në konsolidim të kapjes së shtetit, për shkak të inferioritetit të tyre moral e ideor, kanë pranuar të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila e gjymton unitetin territorial të Kosovës dhe funksionimin e shtetit. Pra, e rrezikon edhe të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, e rrezikon paqen në Kosovë dhe në rajon, dhe pamundëson zhvillimin normal të ekonomisë dhe të shtetndërtimit në vendin tonë. Përveç kësaj, ata e kanë përgatitur këtë marrëveshje pa përfshirë opozitën, madje kanë parashikuar që të mos ratifikohet fare në Parlament.
Ndonjë lexues mund të pyesë se pse vallë nuk e sjellin për ratifikim në Parlament marrëveshjen e 25 gushtit, meqë kanë shumicën dhe mund ta votojnë në çdo moment? Arsyeja e parë është se nuk duan ta sjellin në Parlament, pasi Serbia nuk i ratifikon këto marrëveshje në Parlamentin e saj, pasi nuk i konsideron ndërkombëtare (Serbia e konsideron Kosovën pjesë të sajën). Dhe, qeveritarët tanë nuk mund ta ratifikojnë njëanshëm, as Serbinë nuk mund ta detyrojnë, kështu që e kanë çuar veten edhe vendin në pozita të reja të pranimit të nënshtrimit ndaj Serbisë. Arsyeja e dytë është se ndoshta nuk i kanë dy të tretat për ta ratifikuar këtë marrëveshje kaq të dëmshme. Ne ishim dëshmitarë gjatë verës se si u votua në Kuvend kundër Gjykatës Speciale. Në atë çast po ashtu u bë një përpjekje për zhvlerësim të Kuvendit, dhe u soll përsëri propozimi. Ishin në gjendje ta votonin edhe disa herë të tjera, deri sa rezultati i votave të ishte ai që donin ata. Pra, situata është aq e pazakontë, sa që ka nevojë urgjente për rikthim në vlerat e republikës dhe të demokracisë. Kosova ka nevojë për njerëz që sakrifikojnë nga vetja për vendin e tyre, jo për ata që sakrifikojnë vendin për veten e tyre.
A ndjen përgjegjësi Lëvizja “Vetëvendosje” për skenat në Kuvendin e Kosovës, hedhjen e gazit lotsjellës, pengimin e zhvillimit të seancës plenare, etj?
Lëvizja nuk ka bërë asnjë veprim të papërgjegjshëm. Secilin veprim që kemi bërë e kemi shpjeguar me argumente publikisht. Përgjegjësia për tensionimin e situatës është tërësisht e qeverisë. Ajo nënshkroi një marrëveshje që e bën Kosovën si Bosnja. Pranimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, me kompetenca ekzekutive, legjislative e përfaqësuese, me kufij të caktuar e me demografi të prodhuar prej spastrimit etnik, është sikur të ecësh në hapat e Bosnjës. Dhe Bosnja, 20 vjet pas luftës, konsiderohet nga gjithë bota si shtet i dështuar. Ajo ka për të qenë gjithnjë shtet i dështuar, për sa kohë të ketë brenda Republikën Serbe, e cila kontrollohet drejtpërdrejt nga Serbia, dhe që njëherazi e vendos edhe Sarajevën nën shantazhin e Beogradit. Edhe Republika Serbe në Bosnje pat nisur si Bashkësi e komunave me shumicë serbe fillimisht. Skenare të tilla nuk janë të reja. Serbia e ka bërë me Bosnjën, e bën me Maqedoninë, u përpoq ta bëjë me Kroacinë (me Republikën e Krajinës atje), por nuk ia doli, sepse kroatët e ndalën me luftë. Ne me luftë nuk e ndalim dot, sepse nuk kemi ushtri. Por duhet të bëjmë çmos që ta ndalim me protesta, me angazhim qytetar, me rezistencë në Kuvend.
Aksionet tona në Kuvend, sado të pazakonta, e kanë patur një efekt të mirë e të dobishëm. Ato i kanë treguar gjithë botës, gjithë aleatëve të Kosovës, se kjo marrëveshje nuk është një sakrificë që Kosova mundet t’ia lejojë vetes. Të gjithë e kanë parë se në Kosovë, një pjesë e mirë e përfaqësuesve është me çdo kusht kundër kësaj marrëveshjeje. Pastaj, me peticionin, i cili i ka kaluar 200.000 nënshkrime dhe ende po vijon, kemi treguar edhe se një pjesë e madhe e popullsisë dhe elektoratit në Kosovë është kundër marrëveshjes. Veprimet tona e kanë patur një efekt të duhur, në një situatë kaq problematike. Ne jemi të bindur se me aksionin tonë do ta detyrojmë qeverinë të tërhiqet nga kjo marrëveshje, si dhe nga marrëveshja për demarkacionin e kufijve me Malin e Zi, e cila po ashtu është e dëmshme, pasi është zgjedhur për demarkacion një metodologji e cila i jep avantazh Malit të Zi, dhe Kosova humbet mbi 9.000 hektarë tokë.
Cili është përjetimi juaj personal, përtej atij politik, për çfarë po ndodh në Kosovë?
Sigurisht që nuk është e këndshme. Personalisht do të preferoja të jetoja në një vend normal, ku çështjet kombëtare dhe shtetformuese të ishin realizuar. Aty do të isha sërish aktivist, por i çështjeve të barazisë, të transformimit të ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm e social, etj. Por kushtet janë këto që janë, dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkë me forcat e tjera opozitare e kanë për detyrë të ndryshojnë modelin e të bërit politikë në Kosovë. Nuk bëhet politikë duke lëshuar pe, duke toleruar gjithçka që i ndodh publikes. Politikanët tanë, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, shpeshherë tolerojnë shkatërrimin e publikes, sepse kështu ua kërkon një mik, ndërkombëtar ose jo, apo se kështu këshillohen prej tjetërkujt. Por projektet publike, kryesori prej të cilëve është kombi e shteti, janë tepër delikatë. Ato ndërtohen me shumë mund, me gjak e djersë. Ama prishen shumë lehtë, me fare pak korrupsion. Ne duhet t’i vëmë një barrierë të madhe këtij fenomeni, prandaj unë besoj se në politikë duhet rikthyer morali. Por kujdes, nuk po them se duhet rikthyer moralizimi, por morali, i bazuar në ideologjinë tek e cila thirret secila parti. Ata që pretendojnë se kanë zhdukur ideologjitë, në fakt thjesht e kanë degraduar moralin në moralizim, dhe tani veprojnë të kontrolluar prej shantazheve që rrjedhin nga dosjet e tyre të korrupsionit.
Hashim Thaçi ju ka ftuar të ktheheni në shoqërinë civile, pasi nuk pranoni rregullat e sistemit politik. Mendoni se “Vetëvendosje” po vepron në kufijtë apo jashtë sistemit politik?
Hashim Thaçi nuk shquhet për urtësi, e as për zemërgjerësi. Kështu që këshillën e tij duhet ta lexojmë me kujdes, dhe të shohim se si brenda saj përfshihet një ofendim i madh për shoqërinë civile të Kosovës. Zv/kryeministri është duke thënë se shoqëria civile nuk e pengon atë, pasi veprimet e saj janë të dobëta, jashtë sferës politike, dhe nuk munden ta detyrojnë aspak të ndryshojë. Kjo nuk është perspektiva ime për shoqërinë civile, e cila sipas meje, por edhe sipas shumë autorëve, është themeli i politikës e jo një cirk ekstrapolitik me fokus te filantropia. Megjithatë, meqë jemi në rendin e ftesave, unë do ta ftoja z. Thaçi të heqë dorë nga kontrolli i shoqërisë civile përmes presionit mbi donatorët, përmes shantazhit me dosje të keqpërdorimit të fondeve, apo përmes promovimit të personave të katapultuar prej tij nga media në shoqëri civile, nga shoqëria civile në politikë, e anasjelltas. E di që Thaçi nuk mund ta bëjë këtë, pasi praktikë e tij dhe e Kadri Veselit është kontrolli i gjithçkaje, por sërish, është detyra jonë që ta çlirojmë hapësirën publike dhe demokratike për të gjithë, edhe për shoqërinë civile që sot punon nën presion.
Sa e dëmton imazhin dhe përpjekjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare situata më e fundit në Kuvend?
Imazhi i Kosovës në botë paraprakisht ka qenë i keq, pikërisht për shkak të qeveritarëve të mëparshëm, të cilët kanë qenë të njohur vetëm për korrupsion, për vjedhje galopante me tenderë, për krime ordinere e të organizuara, për brutalitet e për injorancë. Pjesën kryesore të imazhit të keq të Kosovës e shkakton papunësia dhe emigrimi. Nëse në Shqipëri ju ankoheni për nivele të larta të papunësisë, dhe ashtu është, po të dini sa është papunësia në Kosovë, do të skandalizoheshit. Është zyrtarisht mbi 40%, e realisht diku rreth 60%. Jemi vendi me papunësi më të lartë në kontinent, e ky është imazhi më negativ që mund të ketë Kosova. Qytetarët tanë në masë të madhe, sidomos të rinjtë, mezi ç’presin të ikin nga ky vend dhe në fakt po ikin, në mënyrë klandestine drejt Gjermanisë e Francës.
Për këtë imazh e kanë fajin pikërisht këta politikanë që na kanë sjellë deri këtu. Aksionet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë të parat mesazhe të dala prej politikës së Kosovës, që nuk janë mesazhe mjerimi, varfërie, injorance, lufte për pushtet, brutaliteti e krimi. Janë mesazhe politike. Gjithë bota e sheh dhe e kupton, se në Kosovë situata politike qenka në krizë, sepse është nënshkruar një marrëveshje anormale, raciste, për krijimin e territoreve sipas parimit etnik. Nëse aksionet tona në Parlament nuk do të ishin të tilla, askush nuk do ta dinte për marrëveshjen, përveç atyre që janë marrë drejtpërdrejt me të, dhe situata do të kishte imazhin e normales, por përmbajtje monstruoze. Ne nuk dëshirojmë t’ia japim një përbindëshi një imazh normal. Marrëveshja që po i imponohet Kosovës nga qeveritarët e saj të shantazhuar, është një përbindësh. Njëkohësisht, nuk duhet harruar që imazhi është preokupimi i të pasurve dhe i shtresës së epërme të klasës së mesme. Këta përbëjnë pakicën e vogël të popullsisë. Të tjerët, që janë shumicë dërrmuese, thonë se imazhi nuk hahet.
Shqipëria të interesohet më shumë për Kosovën
Si e shihni zgjidhjen e krizës politike të krijuar tashmë? Jeni të gatshëm për dialog me shumicën?
Shikoni, koha për dialog është para se një marrëveshje të lidhet. Kur marrëveshja nënshkruhet, nuk ka për çfarë të dialogohet. Nuk ka dialog post-factum. Sot për sot, pa u dëgjuar kërkesat e opozitës, nuk ka dialog. Ne jemi të gatshëm për dialog, nëse kryeministri tërheq nënshkrimin, përkatësisht tërhiqet nga marrëveshja dhe ajo anulohet. Në atë rast, ne do të pranonim ta shqyrtonim me dialog të gjerë politik, duke përfshirë edhe opinionin publik, gjithë marrëveshjen. Kuptohet, dialog do të thotë që të ketë pranim të argumenteve prej të gjitha palëve, përndryshe do të ishte monolog. Por, unë mendoj se qeveria nuk është gati dhe nuk ka potencial për dialog. Në kushte të tilla, qeveria këmbëngul të na detyrojë që monologun e saj ta quajmë dialog.
A rrezikon Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme?
Zgjedhjet e parakohshme janë opsioni i tretë që ne i kemi dhënë qeverisë. Opsioni i dytë është referendumi, le të deklarohen me referendum qytetarët e Republikës për fatin e vendit dhe shtetit të tyre. E, nëse z. Mustafa ndihet i pafuqishëm, dhe nuk mundet ta tërheqë nënshkrimin prej marrëveshjes, si dhe nuk guxon ta pranojë referendumin, atëherë le të japë dorëheqje dhe shkojmë në zgjedhje të përgjithshme, ku opozita do të mbajë qëndrimin e saj kundër marrëveshjeve të dëmshme, e qeveria le t’i mbrojë ato marrëveshje përpara popullsisë. Në rast se qeveria nuk i dëgjon kërkesat e opozitës, zgjedhjet do të ishin një zgjidhje.
A mund të ketë Shqipëria apo figurat politike rol negociues mes palëve?
Shqipëria duhet të interesohet më shumë për Kosovën. Por jo si e dërguar e Brukselit në Kosovë, pasi të dërguar të Brukselit në Kosovë kemi shumë. Shqipëria duhet të shqetësohet për faktin që hapësirat ku jetojnë shqiptarët në Ballkan vazhdojnë të jenë në rrudhje. Hapësirat ku jetojnë shqiptarët duhet të jenë prioritet i Shqipërisë, por jo në sensin e politikës ditore dhe deklaratave të bujshme, as në sensin e kërcënimit të ndërkombëtarëve përmes çështjes kombëtare. E arritur kombëtare shqiptare do të jetë ajo e cila e ndërpret rrudhjen e tkurrjen territoriale. Çkado që shpallim a nënshkruajmë, çfarëdo suksesi që proklamojmë, është i kotë nëse nuk e ndalon shpopullimin e trojeve të banuara me shqiptarë në skajet e tij si Tivar e Ulqin, Tuz, Plavë e Guci, Mitrovicë e Zveçan, Medvegjë e Bujanoc, Kumanovë e Shkup, Ohër e Manastir. Shqipëria mund të ndikojë shumë opinionin e përgjithshëm në Kosovë, mediat e Shqipërisë atje ndiqen shumë. Ndikimi, në perspektivën time duhet të jetë për një rritje të rëndësisë së faktorit shqiptar në Ballkan, në ekonomi, në prezencë shtetërore, në mirëqenie, në demokraci, në ushtri, në diplomaci, në akademi etj. Figurat e politikës në Shqipëri duhet të kuptojnë dimensionin thellësisht politik e publik të kombit, e jo vetëm atë simbolik-folklorik, i cili shpesh përfundon të jetë edhe reaksionar.
Kryeministri Rama preferon të përmendë në intervista se shqiptarët sot në Ballkan ndodhen në pozicionin më të mirë që kanë patur ndonjëherë. Ju si e shikoni faktorin shqiptar?
Për këtë na duhet një ushtrim i thjeshtë, të cilin jam i sigurtë se do ta bënin shumë lexues. Një krahasim i ekonomisë së Shqipërisë, Kosovës dhe pjesës shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi, me ekonomitë e Serbisë, Kroacisë, Greqisë, pjesës joshqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi. Po ashtu do të mund të bëhej ky krahasim edhe sa i përket mirëqenies, zhvillimit të arsimit, etj. Po ashtu, le të shohim se si trajtohen shqiptarët si minoritet, krahasuar me minoritete të tjera. E kështu me radhë. Mund të krahasohet edhe kohezioni politik në një projekt të caktuar. Psh. serbët, në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni, Kroaci a kudo ku jetojnë, ndërkohë që kanë pluralizmin e tyre, gjejnë kohezion në projektin drejtues të Beogradit. Shqiptarët jo, ata janë përtej pluralistes, janë thuajse a-centrikë. Projekti i komb-shtetit do të ofronte një vektor koheziv për shqiptarët. E për këtë do të duhej një përpjekje serioze, ndoshta titanike, por jo shumë e zhurmshme, prej Tiranës në bashkëpunim me faktorët konstruktivë (por kujdes, mafian nuk mund ta konsiderosh faktor konstruktiv) në të gjitha vendet ku ka shqiptarë.
Albini, po te ishte atdhetar i vertet, Do kerkonte veprim politik te perbashket te subjekteve politike shqiptare. Te vetditur, se edhe ashtu do ishte veshtire te perballemi me forcen nderkombetare te vendosjes. Zajednia, ka rrjedhen qe nga paslufta me Enklavat serbe, ne vazhdim, sipas Altisarit, komunat me shumice serbe. tash Zajednica e tyre, ne vazhdim, nese suvjektet shqiptare vazhdojne te perbalten mes tyre, te thuhet,te gjuhen e shahen, te urrehen e te pengohen per veprim politik te perbashket, Zajednica, do tashet e do shpall nje autonomi formale, qe menjehere pas pak vitesh, te shenderrohet ne pavaresim nga Kosova, Por jo pa te drejte bashkimi me ndonje shtet tjeter,sic e patem ne nga Altisari, por me te drejte bashkimi me shtetin qe deshiron te bashkohet. Kesaj deputetet tane grindavec duhet ta dijne e te qendrojne aty ku populli ju ka dhene vote e besim per te sherbyer vendit e popullit.Albini, nese nuk kthen menyren e veprimit e bashkpunimit,por vepron kesht eger e pak sa pakuptimet politik, del keq dhe jo i sinqertr ndaj vendit dhe popullit.
DRENICA E KUQE