Dr. Nuridin Ahmeti
Viti 1912 për shqiptarët shënonte largimin edhe te Perandorisë Osmane nga këto troje. Historiografia shqiptare dikur, largimin e Perandorisë Osmane e përshkruante si çlirim. Në fakt, vetë veprimtarët e Lëvizjes tonë kombëtare, e edhe Ismail Qemali, disa muaj para Shpalljes së Pavarësisë, kërkonte që trojet shqiptare duhet te kishin me shume liri të veprimit, por të ishin nën ombrellën e Perandorisë Osmane. Ky koncept, në fakt ishte përkrahur edhe nga disa veprimtar, emrat e të cilëve sot janë të skalitur në historinë tonë kombëtare. Këta veprimtar, duke e parë gjendjen gjeopolitike të kohës, analizuan se shkëputja eventuale nga Perandoria Osmane, do të ju shkaktonte dëme të mëdha shqiptarëve. Për ta qartësuar me mirë këtë aspekt, ne po i radhisim këto personalitete dhe mendimet e tyre të shfaqura për këtë çështje, a ata janë:
Pashko Vasa, ideolog dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes tonë kombëtare, në veprën e tij, të shkruar në gjuhën frënge “E vërteta mbi Shqipnin dhe shqiptarët” e botuar në Paris, më 1879 , libër ky i përkthyer nga frëngjishtja në shqip nga Mehdi Frashëri dhe botuar në Tiranë më 1935, ndërsa në masë të gjerë i shpërndarë tek ne si botim anastatik, vjen nga Fondacioni “Alsar” në Tiranë, më 2019. Në mes tjerash Pashko Vasa në këtë botim shkruan: “Ata që kanë shtirë mendimin e disa ve se populli shqiptar sot për sot dëshëron të ndahet nga Perendoria dhe që kërkon një kombinezon i cili mund të verë në gjendje të vetësundohet nën një formë autonome. Nuk bëhet gjë më remë e më e pa drejtë” -shkruan në mes tjerash Pashko Vasa. Ky veprimtar, vazhdon në botimin e tij se argumentuari se “ Si Shqipëri, nuk mund të vazhdojë veç se nën një zotim që nderon ekzistencën, zakonet dhe kombsin e s’aj dhe gjer tashti ka qënë perandoria Ottomane që ka përmbushur gjith këto kondita” -përfundon mendimin e tij Pashko Vasa.
Mendimtari tjerë i njohur, është veprimtari e poeti At Gjergj Fishta, i cili te ne është i njohur, si autor i veprës “Lahutën e Malcis”. Fishta, si një intelektual, duke e lexuar mirë gjeopolitikën e kohës, në vargjet e “Lahutën e Malcis”, i porosit shqiptarët, që te kenë kujdes me Perandorinë Osmane, të mos kërkojnë ndarje, sepse jemi popull i vogël dhe politikat fqinjësore janë në dëmin e trojeve shqiptare. Decidivisht, përmes vargjeve Fishta shkruan:
“Por, pse na të vogjël jemi
Pse kend fis e vlla nuk kemi,
Na sod Shkjaut s’mund t’i bajmë ballë
Qi po do t’na përpijë gjallë,
Prandej, thom, se e lyp e mara,
Qi edhe sot na, si përpara,
Të rrim njitë me mbret t’Stambollit
Për me i bamun ballë Nikollit…” .
Ideologu tjetër i shquar që ne e kemi prezantuar mendimin e tij këtu, është prijësi i njohur katolik, veprimtari, Abati i Mirditës, Preng Doçi. Mendimin e tij, e shënon mikja e njohur e shqiptarëve Edith Durham. Gjatë një vizite që do ti bëjë rajonit të Mirditës, Edith Durham, e pyet Abat Doçin edhe rreth Perandorisë Osmane, përgjigja e të cilit ishte kjo: “Të punosh kundër turkut tani është gabim. Turku nuk është më armiku më i egër i Shqipërisë…, tani është një armik tjetër, madje shumë më i egër se turku, një armik që po forcohej dita- ditës. Ky armik ishte sllavi.
Rusia me kishën e sajë fanatike dhe bandat e saj të egra serbe dhe bullgare, ishte gati ta shkretonte Shqipërinë dhe t’i zhdukte njëherësh katolikë e myslimanë bashkë” .
Mendimet e shprehura me kompetencë nga Pashko Vasa, Fishta e Doçi, se çfarë mund të ndodhte me trojet shqiptare në rast të ndarjes nga Perandoria Osmane, dolën të jenë të sakta, dhe kjo u pa qartazi me rastin e largimit të kësaj Perandorie nga këto troje. Formimi i Aleancës Ballkanike në tetor të vitit 1912 nga Serbia, Mali i Zi, Greqia e Bullgaria, gjoja se për të luftuar kundra Perandorisë Osmane dhe apetitet e tyre ndaj tokave shqiptare, bënë që veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, te kalonin nga kërkesa për autonomi në kërkesat për Pavarësi, dhe kjo kërkesë e tyre, u realizua më 28 nëntor të vitit 1912, por jo ashtu siç ata e kishin menduar, sepse pjesa më madhe e tokave shqiptare u pushtuan. Shtetet e Aleancës Ballkanike, tanimë kishin marshuar nga Kumanova në drejtim të Shkupit për të vazhduar për Prizren e Durrës, pjesa tjetër ja kishte mësyrë Shkodrës dhe Greqia Jugut të Shqipërisë. Shtypi i kohës, për të bëmat e ushtrive të Aleancës Ballkanike ndaj shqiptarëve, jepte përshkrime drithëruese, për vrasje, masakrime, konvertime me dhunë të shqiptarëve mysliman dhe katolikë, pa kursyer as moshë e as gjini. Në mesin e atyre që dërguan raporte, për këto të bëma të ushtrive të Aleancës Ballkanike ishte edhe Lazër Mjeda, kryepeshkop i Shkupit.
Forcat malazeze, ia kishin mësyrë rajonit të Dukagjinit e Shkodrës. Në Shkodër, shënohet rezistenca e trupave shqiptare dhe osmane, ne krye me komandantin e njohur Hasan Riza Pasha. Pas disa ditëve rezistencë, i mbetur pa municion, Hasan Riza Pasha, do ti drejtohej fuqive të kohës për mbështetje. Përgjigja ishte negative, e rrjedhimisht nënkuptohej se Hasan Riza Pasha, duhej të dorëzohej. Përgjigja e këtij udhëheqësi ushtarak, te ne, na vjen përmes rapsodit popullor, kur thotë:
“Ja kam dhanë Zotit besën n’Ezel
S’kam me korit atë Pejgamber,
Kam me hongër mish t’askerit,
Kam me pi gjak t’insanit
Ska me ja leshue Shkodrën dushamanit”.
Forcat tjera serbo malazeze, në rajoni e Pejës e Gjakovës, kishin filluar me konvertime të dhunshme fetare të shqiptarëve mysliman e katolikë në ortodoks. Sav Batraja po u printe këtyre forcave. Andaj, këtë ngjarje me pak rreshta rapsodi ynë popullor e shënon në këtë mënyrë:
N’ kamë u çue Savë Llazari
Don shqiptarët me i shkombtaruzie
Për pa u gri, për pa u coptue
Shqiptarë jemi, s’kami fenë me e ndrrue” .
Për të gjitha këto ndodhi gjatë viteve 1912-1913, mendojmë, se në pak fjalë gjendjen e trojeve shqiptare në përgjithësi, e ka përshkruar mikja e shqiptarëve Edith Durham, e cila nga ajo çfarë kishte parë do të shkruante: “ Tani që serbët erdhën në Ohër dhe grekët në Korçë, fillova ta ndjeja veten fajtore pse dikur kisha uruar që turku të largohej nga Europa. Sa ishte turku aty, shpresat nuk ishin shuar. Ndërsa këta pushtues “të krishterë” ishin njëqind herë më të këqij”.
Lufta e Parë Botërore 1914-1918, Kosovën e gjeti të pushtuar nga forcat Serbe, Bullgare e Austro-Hungareze, dhe me humbje të mëdha njerëzore. Periudha nga vitit 1918 e deri në vitin 1939, Kosova dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë politike, do të përballen me regjimin e Mbretërisë Serbo Kroato Sllovene dhe me vonë Jugosllavisë, duke i burgosur, vrarë, dëbuar nga tokat e tyre, marrjen e tokave në emër të Reformës Agrare, marrjen e tokave të Vakëfit etj. Në këtë periudhë, në Kosovë përmes lëvizjes së Azem Galicës me shokë, do të kemi rezistencë në mbrojte te të drejtave të popullit shqiptar. Por, në këtë tubim të sotëm, ne kemi veçuar, tri personalitete shqiptare të kohës, që së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, do ta ngrenë zërin ndaj atyre padrejtësive që po ndodhnin në Kosovë nga pushtuesit, a ata janë:
Hoxhë Kadri Prishtina, i cili në këtë kohe themelon komitetin e njohur Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me qendër në Shkodër, dhe së bashku me shokët si: Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Qamil Bala etj, dhe në bashkëpunim me organizatën e njohur “Xhemijeti” me qendër në Shkup, po e sensibilizonin opinionin me veprimet e tyre, për atë çfarë po ndodhte me shqiptarët e Jugosllavisë së atëhershme.
Personalitet tjetër, që do ta ngrisë zërin e tij në këtë periudhe për mbrojtjen e shqiptarëve në Kosovë, është edhe Hafiz Ibrahim Dalliu nga Tirana. Jam i bindur, se kur e dëgjoni emrin e tij, e dini se kush ka qenë personi në fjalë, por pak është përmendur se Ai në vitin 1924 themelon në Tiranë gazetën e njohur “Dajti” dhe ishte kryeredaktori i saj. Lajmet të cilat vinin nga Kosova, Ibrahim Dalliu, si drejtues i kësaj ndërmarrje, i botonte në faqen e parë, dhe kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë. Duke e parë ndikimin e kësaj gazete edhe në Kosovë, Legata e Jugosllavisë se asaj kohe në Tiranë, e nis një raport në lidhje me këtë gazetë në Beograd, dhe mbi këtë raport Ministria e Punëve të Brendshme, i jep urdhër Seksionit të Mbrojtjes Shtetërorë në Beograd, më 28 nëntor 1924 që gazetës “Dajti” ti “ndalohet hyrja dhe shpërndarja në Mbretërinë tonë”, sepse sipas tyre, kjo gazetë, ka botuar artikullin “Pasqyrë e shkurtër e veprave çnjerëzore serbe në Kosovë”. Pra, Dalliu dhe gazeta e tij “Dajti”, u bënë pengesë për realizimin e planeve të tyre.
Personaliteti tjetër që ngriti zërin në mbrojtje të vëllezërve nga Kosova është Hafiz Ali Korça. Ky dijetar i njohur, nga informata që kishte se çfarë po ndodhe me vëllezërit e tij nga Kosova, e sidomos, kur dëgjojë për sulmet e forcave serbe në Drenicë më 1924, vuajtjet e tyre i përshkruajti në vargje, me titull: “Vajtimet e atdheut”.
“Gra, burra, foshnja për ditë vriten,
Nga vendi vet zhveshur po qiten;
Digjen katundet e përvëlohen,
Ah, shpirti më këputet, prej kujt s’ndalohën.
U germadhove, u copëtove,
Krejt u trondite krejt u shkretove.
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!”.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosovën e gjënë me humbje njerëzore, me aneksim të tokave të tyre nga pushtuesit, pa shkolla në gjuhën shqipe, me programe të institucioneve serbe për shpërnguljen nga trojet e tyre etj. Nga viti 1941 në kohen e pushtimit Italian, Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, do të bashkohen me Shqipërinë, do të filloj një periudhë e arsimit dhe administrimit nga shqiptarët me kuadro shqiptarë dhe në gjuhën shqipe, por fatkeqësisht kjo periudhë do të jetë e shkurtër, sepse nga viti 1945 Kosova do të pushtohet nga forcat serbo partizane, e rrjedhimisht do të filloj një etapë e re përndjekjeve të shqiptarëve. Këtu vlen për të permendur, ngjarjen e njohur e prillit të vitit 1945, e njohur te shqiptarët e Kosovës, si Masakra e Tivarit. Forcat partizane, i mobilizojnë një numër të madh shqiptarësh nga Kosova, me arsyetimin se do të shkojnë për t’i luftuar forcat naziste në Kroaci dhe Slloveni, por pas disa dite udhëtimi nga Prizreni, gjatë një pushimi në Tivar, ata pabesisht masakrohen nga forcat partizane, mbi 1500 rekrut shqiptarë.
Gjithashtu, pas vitit 1945 ne emër të asaj se ata apo ato, gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin qenë pjesë të organizatave Balli Kombëtar dhe Nacional Demokratike Shqiptare, shumë shqiptarë u likuiduan, u burgosën, e familjet e tyre u dëbuan nga vendi i tyre. Nga vitet e 50 dhe 60-ta, në Kosovë realizohet aksioni i mbledhjes së armëve, apo thënë ndryshe periudha e Rankoviqit, ku prapë populli i Kosovës gjendet përballë maltretimeve, shkollimit jo adekuat në krahasim me vendet e tjera në Jugosllavi, burgosjeve etj. Përball këtyre padrejtësive, Adem Demaçi e Fazli Grajçevci me shokë, do ta ngrisin zërin kundra këtyre padrejtësive, të cilat padyshim se do ta paguajnë me shëndetin, rininë e jetën e tyre. Kosova, do të vazhdojë me ngritjen e institucioneve arsimore e shkencore, por demonstrata e vitit 1968 dhe 1981 dëshmuan se në vend ka pasur për një periudhë qetësi relative, por nuk janë evituar padrejtësitë ndaj popullit. Sigurisht, se pas çdo demonstrate e shprehje të pakënaqësive nga populli vazhdonte fushata e burgosjeve, maltretimeve, vrasjeve etj. Por, këto fushata në teren prodhonin kundërefekt, aq sa më i madh agresioni, reaksioni ishte edhe më i madh, dhe kjo do të na dërgojë deri në vitet e 90-ta kur shqiptarëve në Kosove ju merren të drejta të tyre nga pushteti i atëhershëm, dëbohen nga institucionet e tyre arsimore e shkencore. Nga populli i shqiptar i Kosovës do të ngriten institucione paralele, me një kontribut të jashtëzakonshëm edhe të mërgatës tonë, do të filloj aksioni për pajtimin e gjaqeve, me një fjalë, do të filloj ajo periudha që në disa botime do ta gjeni si periudha e veprimit paqësor të shqiptarëve të Kosovës në krye me albanologun e njohur Ibrahim Rugova. Por, ky veprim paqësor, përballë një pushteti çfarë ishte Serbia, u tregua i pamjaftueshëm, andaj grupet atdhetare të cilat vepronin në Kosovës dhe në viset shqiptare, të ndihmuar edhe nga grupet atdhetare në mërgim do të fillojnë aksione të armatosura, dhe do ta formojnë atë që quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që tanimë është pjesë e historisë tonë të lavdishme. Më 28 nëntor të vitit 1997 në Llaush të Skenderajt, është dalja e parë publike e kësaj organizate atdhetare. Por, kjo ushtri identifikohet edhe me sakrificën e shumë njerëzve, e sidomos të atyre që e dhanë jetën, të cilët sot bëjnë pjesë në listat me të nderuara të një kombi, e ato janë listat e dëshmorëve të atdheut. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, identifikohet edhe me sakrificën e familjeve të njohura si ajo Haradinaj e Pajaziti, dhe secila nga këto familje padyshim se e ka kontributin dhe vendin e vetë në histori. Por, për nga flijimi i numrit të anëtarëve e rezistencë të pashoq, vend meritor ka familja e komandantit të njohur historik, Adem Jashari nga Prekazi i Skenderajt. Kjo familje, disa herë e sulmuar, por të vendosur të qëndrojnë në vatrat e tyre, duke qenë të vetëdijshëm edhe për përfundimin. Andaj në sulmin tragjik të datës 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bien dëshmorë 55 të fshatit Prekaz, 22 prej të cilëve ishin nga familja e ngushtë e komandantit historik Adem Jasharit. Në lidhje me këtë ngjarje, pas vitit 1999, televizioni i njohur “Al-Jazeera”, kishte përgatitur film dokumentar për familjen Jashari. Në hyrje të këtij dokumentari, prezantuesi tregon se këtu “kryengritja është si prona, e trashëgojnë brez pas brezi, nuk qetësohen deri sa mos të filloj, e nuk mposhten deri ne fitore” – e kjo thënie më së miri e ilustron rajonin e Drenicës, i cili vend, gjatë historisë ka treguar se nuk heziton kur është fjala për rezistencë, dhe nuk ndalën deri ne fitore.
Nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, në shenjë hakmarrjeje, popullsia civile e Kosovës u përball edhe me masakrime, përdhunime, tortura nga më të ndryshmet nga forcat pushtuese. Ushtria Çlirimtare e Kosovë, në bashkërendim edhe me forcat ndërkombëtare, arriti largimin e forcave pushtuese nga vendi. Të dhënat e botuara, në formë të kujtimeve nga disa prej figurave ndërkombëtare që kishin rol në këtë periudhë, tregojnë, se disa shtete, kishin hezitim në fillimin e fushatës së bombardimeve ndaj caqeve serbe. Por, disa nga shtetet anëtare të NATO-s, si: ShBA, Anglia dhe Turqia u treguan të vendosura në këtë drejtim. Këtë aspekt, e sqaron më së mirë ish-atasheu ushtarak i Shqipërisë në Ankara në ditarin e tij, kolonel Hajro Limaj.
Në qoftë se në disa shtete anëtare të NATO-s ka pasur hezitime, nëse do të duhej të fillonte fushata bombarduese kundra caqeve serbe, pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, forcat ndërkombëtare treguan gatishmëri të madhe në ndërtimin dhe ngritjen e institucione të vendit tonë. Pavarësisht sfidave në ngritjen e institucioneve, pas luftës në Kosove, vendi ynë arrin që se bashku edhe më miqtë tanë nga mbarë bota, të shpallë Pavarësinë, më 17 shkurt të vitit 2008.
E kjo nuk do të thotë se sfidat për popullin dhe shtetin e Kosovës kanë përfunduar, por vendi ynë duhet të përballet me rrethanat e reja diplomatike, gjeopolitike, e zhvillimin ekonomik.
Kumanovë, më 15 shkurt 2025