Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani, sot gjatë vizitës njëditore të punës në Republikën e Kosovës, realizoi takim me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli. Në takim, siç transmeton Kosovapress, u diskutua mbi temat që Republika e Maqedonisë dhe ajo e Kosovës të mbajnë mbledhje të përbashkët në mes të dyja qeverive, ku do të ndërmarrin veprime konkrete për lehtësimin e kalimit të kufirit ndërmjet dy shteteve. Po ashtu gjatë kësaj mbledhje do të synohen projekte të përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit dhe do të shikohet mundësia e krijimit të pikave të përbashkëta doganore.
Shkëmbimi i përvojave në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike gjithashtu ka qenë një çështje tjetër, për të cilën të dyja palët kanë theksuar si të rëndësishme. Ndërkohë, sa i përket vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë përkitazi me anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, pritet që Maqedonia t’i përmbahet dhe të veprojë në linjë me vendimin e saj për njohjen e Kosovës.
Osmani, gjatë vizitës së sotme do të takohet edhe me presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, më pas me kryetarin e Kuvendit, Kadri Vejseli, si dhe me kryeministrin, Ramush Haradinaj. Perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025 do të jenë edhe tema e adresimit të zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani para studentëve të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë Mikpritës i Osmanit do të jetë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, me të cilin është paraparë edhe konferencë e përbashkët për shtyp.