Para se të synohet integrimi në Bashkim Evropian, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të integrohen më mirë mes vete, duke krijuar një kornizë ligjore të favorshme dhe duke ofruar mbështetje për bizneset vendore.
Kështu thotë drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Durim Zeqiri.
Ai thekson rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke propozuar disa masa kyçe për rritjen e efikasitetit dhe lehtësimin e barrierave që pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Zeqiri në një intervistë për KosovaPress flet edhe për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, duke treguar edhe përvojën e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim.
Ai potencon krijimin e një kornize ligjore të favorshme dhe ofrimin e mbështetjes për bizneset vendore për të përmirësuar bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik.
“Biznesi duhet të dëgjohet dhe të përkrahet dhe nëse ka nevojë për infrastrukturë shtesë dhe politika të përbashkëta të mirëfillta mes dy shteteve është e patjetërsueshme që të realizohen. Andaj, para se të synojmë një eurointegrim së pari duhet të integrohemi mes vete. Shumë biznese kosovare tanimë janë prezente në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe anasjelltas. Mirëpo, për të lulëzuar gjithçka dhe për t’u realizuar idetë e biznesmenëve dhe afaristëve duhet të ketë parakushte, si infrastruktura, korniza ligjore e mirëfilltë, e cila nuk penalizon, por iu lehtëson bizneseve, si dhe gatishmëria administrative politike për t’i ulur barrierat qofshin ato doganore tarifore, por edhe ato jo tarifore”, tha Zeqiri.
Derisa flet për bashkëpunimin mes dy vendeve, Zeqiri përmend nevojën e unifikimit të procedurave doganore dhe administrative për të mundësuar lëvizje më të shpejtë dhe më të lehtë të mallrave, pasi siç thotë ai, pengesat kryesore në këtë drejtim janë politike, derisa potenciali i vendeve është shumë i madh.
“Do të fillojmë nga tregtia e jashtme. Mendoj se duhet të bëhet unifikimi i procedurave doganore administrative që të kemi lëvizje më të shpejtë dhe më të lehtë të mallrave. Po e citoj një shembull nga një anëtar yni, i cili thotë se, një ton produkt të caktuar për të bartur nga Shkupi në Han të Elezit apo Kaçanik duhet të kalojë nëpër shumë barriera doganore, ndërkaq distanca rrugore është më pak se 15 kilometra. Kjo tregon se kemi një diskrepancë të madhe mes asaj cili është potenciali dhe cilat janë mundësitë. Potenciali është shumë i madh. Unë sidomos për Republikën e Kosovës e vlerësoj si partnerin kryesor tregtar të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq vlerësoj se duhet të jetë e njëjta edhe për Kosovën, për shkak se potenciali është shumë i madh, afërsia gjeografike e bënë të mundshme, mirëpo problemet janë nga më të ndryshmet, qoftë disponueshmëria politike, ekonomike, sociale e më radhë, por në aspektin social kulturor e kemi më të etabluar, për shkak se nga aspekti kulturor jemi shumë të përafërt. Mendoj se, pengesat kryesore janë politike”, tha Zeqiri.
Në anën tjetër, Zeqiri foli edhe për vendimin e ZRrE-së për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë. Sipas tij, shteti duhet t’i jep afat të mirëfilltë, të mjaftueshëm kompanive që të mund të përshtaten në treg.
“Republika e Kosovës duhet të merr shembull edhe për të keq dhe të mirë Republikën e Maqedonisë e sidomos te pjesa e evitimit të gabimeve, të cilat Maqedonia e Veriut i ka realizuar përgjatë proceseve të ndryshme ekonomike. Kjo është disfavorizomi i kompanive vendore karshi atyre që vinë nga jashtë. Kjo nuk ndodh vetëm me energjetikë, por në të gjitha sferat. Do të kisha sugjeruar, duke u nisur nga pikëpamja dhe nga ekspertizat të cilat ne si Odë e ndajmë, vlerësoj se korniza ligjore, shteti në përgjithësi i Kosovës duhet t’i jep afat të mirëfilltë, të mjaftueshëm kompanive që të mund të përshtaten në treg, pra të përshtaten me kornizën ligjore dhe se pastaj ato të mund të konkurrojnë dhe kështu do të jetë efekti i vetëm parësor dhe efekti inicial, i cili edhe synohet të arrihet me liberalizimin e tregut, i cili ka të bëjë me lirimin apo sjelljen e një konkurrence të mirëfilltë në treg, me çka do të ketë edhe energji elektrike më të lirë. Nëse nuk bëhet kështu, vlerësoj që nuk do t’i shkonte përshtati shtetit në rast se shteti nuk ndërhyn dhe t’u asistojë kompanive që do të tregtojnë dhe prodhojnë energji elektrike, e mbase edhe të distribuojnë te kompanitë dhe qytetarët. Nëse këto nuk asistohen, vlerësoj se efekti do të jetë minimal, ndoshta edhe do të ketë kundër efekt, për shkak se nëse një sistem, i cili deri më tani ka funksionuar dhe nëse nuk përmirësohet, cila është ideja e ndryshimit të saj”, shprehet Zeqiri.
Ai vlerëson se kompanitë tregtare në Kosovë duhet të asistohen dhe të mos disfavorizohen karshi investitorëve të huaj potencialë.
“Vlerësoj se kompanitë tregtare në Kosovë duhet të asistohen, t’u jepen përparësi dhe assesi të mos disfavorizohen karshi investitorëve të huaj potencialë, qofshin nga regjioni dhe më lart në rast se ata tentojnë të kyçen në tregun e energjetikës, për shkak se do të dëmtohet konkurrenca e biznesit të vendit dhe kështu nuk do të ketë përfitim shumë as shteti, për shkak se përvoja në Maqedoninë e Veriut tregon se kompanitë e huaja, të cilat kanë investuar qoftë në energjetik, qoftë edhe në sektorët tjerë ekonomikë, tregon se 60 për qind e neto fitimit që ata gjenerojnë e ri-investojnë në shtetin e tyre amë, ndërsa pjesën e ngelur e investojnë në Maqedoninë e Veriut, ku operojnë, kjo tregon se pjesa dërmuese e parave të qytetarëve, të cilat shpenzohen në ato shërbime dalin jashtë vendit. Andaj, shteti duhet të ketë kujdes, ndërkaq liberalizmi i tregut medoemos do të sjellë efektet e saja pozitive”, nënvizon Zeqiri.
Kujtojmë se kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu ditë më parë tha se ky është viti i fundit që kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në Kosovë, do të furnizohen me tarifa të rregullta.
Vendimi i ZRRE-së, për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës, derisa kompanitë paralajmërojnë për rritje të kostove dhe çrregullimeve ekonomike, nëse ndodh shpejt ky liberalizim i tregut energjetik.