Është e arsyeshme që Maqedonisë së Veriut t’i garantohet se nuk do të kërkojmë të bëhet asgjë më shumë më vonë, pasi që ta bëjë atë që tani e presim dhe dëshirojmë prej saj, deklaroi kreu i Këshillit të Evropës, Antonio Koshta pas takimit me kryeministrin bullgar, Rosen Zheljazkov në Sofje.
“Maqedonia e Veriut gjatë kohë punon në këtë proces. E kuptoj mospajtimin e tyre. Ata e ndryshuan Kushtetutën, e ndryshuan flamurin, e ndryshuan edhe emrin e vendit dhe gjithsesi presin të konkretizohet inkuadrimi. Por, ajo që është miratuar, është miratuar, ajo që është dakorduar është dakorduar dhe ata duhet ta zbatojnë”, shtoi Koshta.
Ai theksoi se personalisht është i angazhuar dhe bisedon me autoritetet në Sofje dhe në Shkup dhe se pret pas përfundimit të periudhës zgjedhore në vend të vazhdojnë bisedimet dhe “disi të arrihet përparim në këtë proces”.
“Në të njejtën kohë, është shumë me rëndësi të ndërtohet besimi. Është jashtëzakonisht me rëndësi të ndërtohet besimi. Kjo është një prej arsyeve përse u bëjmë thirrje qeverive të punojnë në çështje specifike që mund ta përmirësojnë lidhshmërinë e të dyja palëve. Ajo mund t’i përmirësojë kushtet dhe konkurrencën në dy ekonomitë. Të ndërlidhen dy popujt”, tha Koshta.
Sipas tij, inkuadrimi drejt BE-së është proces i cili kërkon shumë dhe është shumë i rëndë, me ç’rast duhet të zbatohen reforma, por më me rëndësi është të ndryshohet mënyra e të menduarit.
“Gjëja më e rëndësishme në rajon është vendimi se vetë rajoni mund t’i tejkalojë konfliktet nga e kaluara dhe të fokusohet në të ardhmen e përbashkët. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Kur ka çfarëdo lloj dyshimi nëse kjo është e mundur, çdoherë mbani mend se si në të vërtetë ka lindur Bashkimi Evropian. Unioni ynë ka lindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, kur Franca dhe Gjermania, pas tre luftërave dramatike, vendosën t’i tejkalojnë konfliktet dhe të punojnë së bashku për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët”, theksoi Koshta.
Ai vlerësoi se rajoni duhet ta ndjekë atë shembull dhe të vazhdojë më tej në mënyër që të hapë faqe të re për prosperitet dhe të ardhme të qetë për të gjithë.
Zheljazkov nga ana e tij theksoi se Bullgaria edhe me vendim të Kuvendit ka konfirmuar se nuk do të parashtrojë kurfarë kërkesa të tjera për vendin.
“Shpresojmë se fjalimi i urrejtjes dhe respektimi i të drejtave të pakicës bullgare, përfshirë edhe obligimin për t’u përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, do të përmbushen, sepse ky është parakusht për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit të barabartë (në BE)”, shtoi Zheljazkov.