Gazetar: Lluka Andreev
Furnizimet publike lidhur me mbrojtjen nga Kovid-19 përballen me probleme dhe rreziqe për korrupsion- thuhet në raportin e Qendrës për komunikime civile, shkruan Alsat.
Ata kanë regjistruar raste kur një institucion publik ka shënuar furnizim për mbrojtje nga Kovid-19 në të cilën është paraqitur vetëm një ofertues ndërsa institucioni në fakt ka blerë automobil zyrtar me timon lëkure, gjashtë altoparlantë dhe ngjyrë metalik.
Një numër i madh i situatave të palogjikshme ka ndodhur edhe me çmimet që i kanë paguar institucionet e ndryshme për të njëjtin produkt.
Më saktë, Instituti për sëmundje të mushkërive në Kozle ka paguar 118 denarë për testin e shpejtë të antigjenit, që është shumë më pak se në Qendrën për Shëndet Publik në Prilep, ku kjo analize kushton 420 denarë, megjithëse mund të blihet shumë më lirë në farmaci.
Shembulli për blerjen e maskave N-95 është i ngjashëm. Ministria e Mbrojtjes ka paguar pothuajse tre denarë për një maskë ndërsa Klinika për Sëmundje të Syve ka paguar tetë. Të dy institucionet kanë marrë nga 13 mijë maska.
“Nëse merren dy tenderët në të cilët janë blerë nga 13 mijë maska, dallimi në çmim mes tyre është trefish, pra në një tender është arritur një çmim për një maskë që është 195% më i lartë se çmimi i arritur në tenderin tjetër”, thonë nga Qendra për komunikime civile.
Qendra për komunikime civile gjithashtu ka vërejtur se në tenderët ku ka aplikuar vetëm një ofertues, kompania në njëfarë mënyre ka arritur të “dijë” vlerën e blerjes, edhe pse shuma nuk ka qenë publike.
Prej atje dyshojnë se shuma i është “pëshpëritur” ofertuesit për të pasur sukses tenderi për reagjensët COVID.
“Vlera e parashikuar e blerjes për pjesën e parë ka qenë 7.826.000 denarë, ndërsa për pjesën e dytë 876.520 denarë ndërsa organi kontraktues nuk e ka publikuar. Por të dy ofertuesit e kanë qëlluar vlerën e parashikuar dhe kanë ofruar shuma identike prej 7.826.000 denarë dhe 876.520 denarë, sipas të cilave, në fund janë lidhur kontratat për blerje”, u shprehën nga Qendra për komunikime civile.
Gjithashtu, sipas raportit, një numër i madh i institucioneve aspak nuk kanë qenë transparente gjatë fazës së bisedimeve me kompanitë nga furnizimi publik. Ndryshe, raporti i fundit ka të bëjë me 40 nga gjithsej 77 furnizimeve publike nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, që peshojnë 1,25 milionë euro./ Alsat.mk