Palët kanë lëvizur më në fund drejt një marrëveshje konkrete për zhbllokimin e punimeve rreth hekurudhës që në lidh Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë dhe që është pjesë e Korridorit 8.
Dakordësia paraprake erdhi në takimin e fundit në Bruksel mes përfaqësuesve të qeverive të dy shteteve, u dakordua që të përgatiten studime dhe një tender për përfundimin e pjesës ndërkufitare të korridorit, gjegjësisht të tunelit lidhës.
Maqedonia, deri në fund të vitit 2025 duhet të rihapë tender për punimet në seksionin hekurudhor midis Kriva Pallankës dhe tunelit ndërkufitar. Pjesa e tunelit do të jetë punë e përbashkët e të dy qeverive.
“Ne ta përfundojmë seksionin e hekurudhës së Korridorit 8 nga Kriva Pallanka deri në hyrje të tunelit. Nga dalja e tunelit të bëhet lidhje me hekurudhën ekzistuese, janë diku 2-3 kilometra për të cilat duhet të behet project dhe atë ta realizojë Bullgaria si shtet, përfshirë edhe modernizimin e hekurudhës nga Gjuesheva deri në Sofje. Tuneli të jetë projekt i përbashkët i financuar nga BE-ja”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ministria e Transportit njofton se të dyja palët ranë dakord të krijojnë grupe pune që do të finalizojnë tekstin e marrëveshjes ndërqeveritare deri në fund të korrikut, dhe nënshkrimin e saj pak muaj më vonë.
“U diskutua gjithashtu përmbajtja dhe nënshkrimi i Marrëveshjes këtë vjeshtë, e cila do të hapë rrugën për fillimin e punimeve të ndërtimit në fillim të vitit 2026. Të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë me aktivitetet për ndërtimin e tunelit ndërkufitar, i cili do të ndërtohet në përputhje me projektin teknik ekzistues të paraqitur nga Maqedonia”, thonë nga Ministria e Transportit.
Banka Evropiane e Investimeve, e cila ishte gjithashtu pjesë e takimit, ka ofruar gatishmërinë e saj për të ndihmuar në diskutimet teknike dhe për të ndihmuar në procesin e përgjithshëm. /Alsat.mk