Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE vazhdon të akuzojë Qeverinë për marrëveshjen e realizuar me kompaninë amerikane “Bechtel dhe Enka”. Partia e Mickovskit, vlerëson se me këtë marrëveshje Grubi dhe Kovaçevski kanë pranuar kushte dhe detyrime financiare për shtetin duke e shkelur ligjin.
“Në thelb, nëse ata janë një qeveri e përgjegjshme duhet të bëjnë vetëm një gjë, të shpallin para publikut kontratën për ndërtimin e korridoreve 1.3 miliardë euro. Atëherë do të zgjidheshin të gjitha dilemat. Çdo ditë e kaluar në heshtje dhe fshehur konfirmon se ata kanë nënshkruar një kontratë të bazuar në dispozita ligjore inekzistente.”, kumtojnë nga VMRO.
“Maqedonia Unike” me nismë në kushtetuese
Ndërkaq, Partia politike “Maqedonia Unike” ka ngritur iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit “Bechtel dhe Enka”.
BDI: Askush s’mund ta ndalë ndërtimin
Mirëpo, nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Nga BDI shtojnë se prolongimi i punëve për këto dy projekte nga ana e deputetëve vetëm se rrit koston e ndërtimit.
“Procesi deri në nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e korridoreve ndërmjet Qeverisë dhe konzorciumit “Bechtel dhe Enka” po zgjat tashmë më shumë se dy vjet dhe në procesin e hapur ishin të kyçur të gjithë. Marrëveshja është obligim që deputetët njëzëri e miratuan dhe e obliguan Qeverinë të veprojë. Projekti i ndërtimit të autostradave të Korridorit 8 dhe 10-D është një projekt ambicioz me rëndësi kombëtare për të ndërtuar 109 kilometra autostradë në 57 muaj. Autostradat nuk mund t’i ndalë më askush dhe asgjë, por nëse deputetët vendosin ndryshe, projekti do të zgjasë dhe do të kushtojë shumë më tepër.”, thonë mes tjerash nga BDI.
LSDM: VMRO, peng i politikave pro ruse
Nga partia qeveritare, LSDM, akuzojnë se Hristijan Mickoski është peng i së Majtës pro ruse dhe vazhdimisht po bën fushatë kundër projektit strategjik për ndërtimin e seksioneve të korridoreve 8 dhe 10.