Alsat 2019-09-14T16:56:11+02:00
Dy fshatra të Komunës së Sarajit, Kopanicë dhe Bukoviq, tashmë një kohë të gjatë përballen për të njëjtin problem, ujin e pijshëm, zgjidhjen për të cilin duhet ta gjejë Komuna e Sarajit. Nëse nga rezervuarin që ndodhet në Kopanicë, merr ujë edhe Bukoviqi, çezmat e Kopanicës mbeten thatë, sepse humb presioni për t’i furnizuar dy fshatrat. Banorët e Kopanicës kërcënojnë autoritetet se nuk do të lënë fqinjët e tyre të furnizohen me ujë. Ata i thonë Komunës se problem nuk zgjidhet me fjalë, por me vepra.
“Gjatë sezonit veror asnjëherë nuk kemi ujë. Fshati ka ngelur, si pa babë e pa nënë. Prej këtij viti në rezervuar është kyçur edhe një fshat tjetër, Bukoviq, i cili gjithashtu ka të njëjtën situatë, pra nuk ka ujë”
“Ne kemi ujë, kemi orëmatës, vijnë paushall. Për shembull mua për tre katër muaj me kanë ardhur faturat e ujit rreth 12 mijë denarë”
“Po s’ ka ujë hiç s’ka, asnjë pikë. Që 5-6 muaj s’ ka hiç. S’kemi sepse e kanë marrë të Bukoviqit. Prej bunarëve. Ata që nuk kanë bunar, Zoti ju dashtë hajrin.”
“Unë jam 78 vjeç, si të shkoj unë të mbush ujë? S’kam as veturë, asgjë s’kam. Faturat i paguaj për çdo muaj”
Kreu i Sarajit Blerim Bexheti në krejt këtë situata sheh politikë. Thotë se qytetarët nuk kanë të drejtë të marrin ligjin në duart e veta.
Komuna e Sarajit ka dy projekte për ndërtim të dy rezervuarëve, njëri është në fazën finale, ndërsa tjetri pritet të finalizohet deri në fund të vitit. Ligjin nuk duhet ta marrin në duart e veta dhe nuk duhet të manipulojë askush me këto çështje. Mesa e di unë asnjë nga protestuesit nuk është ndonjë hidroinxhinier dhe është e vështirë që ta vlerësojnë.Këtu fatkeqësisht ka edhe politikë ditore, dikush mendon se duhet të përfitojë në këtë rast. Për çdo projekt ka procedura. Banorët e këtyre fshatrave duhet të kenë durim dhe mirëkuptim”-tha Blerim Bexheti, kryetar i komunës së Sarajit.
Banorët thonë se pa u zgjidhur problem nuk do të ndalojnë së protestuari dhe se as nuk do të lejojnë furnizimin me ujë të fshatrave të tjera. Ata nuk duan që problemet që neglizhohen nga institucionet, të bëhen mollë sherri mes tyre dhe fqinjëve. Disa muaj më parë problem me ujin kishin edhe banorët e Bukoviqit, të cilët akuzonin fqinjët e tyre në Kopanicë se kanë mbyllur valvulin që me ujë furnizon fshatin Bukoviq, gjë të cilën nuk e mohojnë as banorët e Kopanicës.
Evi Shkopi
Loading…