Konvikti Shtetëror Studentor në Tetovë u lëshua në përdorim pa kontroll teknik të objektit dhe pa miratim për kryerjen e veprimtarisë. Këtë e ka konstatuar Enti Shtetëror i Revizionit. Heshtje në Ministrinë e Arsimit, shkruan Portalb.mk.
Revizorët kanë konstatuar mangësi në projektin e konviktit studentor në Tetovë.
“Konvikti shtetëror i studentëve në Tetovë është ndërtuar me mjete buxhetore në vlerë totale prej 212.407 mijë denarësh (3.450.000 euro), dhe është vënë në përdorim pa u kryer kontroll teknik i objektit dhe pa miratim për përdorim të tij”, thuhet në raport.
Raporti vë në dukje se, pajisjet e blera për kuzhinën e konviktit, për shkak të moskryerjes së ventilimit, nuk janë vënë në përdorim, që do të thotë se, edhe pse janë shpenzuar mjete, një pjesë e objektit nuk mund të përdoret funksionalisht për qëllimin për të cilin është parashikuar.
Për këto probleme Portalb.mk ka shkruar rregullisht me një seri tekstesh.
Revizorët gjithashtu konstatuan dobësi edhe në zbatimin e procedurave dhe realizimin e kontratave për prokurime publike për investime kapitale në konviktin e Tetovës.
“Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve nga personat dhe organet kompetente në funksion të përmirësimit të gjendjeve”, thuhet në raport.
Portalb.mk kërkoi nga Ministria e Arsimit se çfarë do të ndërmarrin në këtë drejtim, por nga ky institucion nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Përndryshe, konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim me 1 nëntor 2023 pas shumë zvarritjeve të punimeve dhe premtimeve të cilat datojnë që nga viti 2016.