Alsat-M 2019-07-19T15:08:43+02:00
Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e ndjekjes së telekomunikimeve vazhdon vizitat në Agjencinë Teknike Operativë por pa ekspertë të cilët do të mund të konstatonin punën ligjore ose eventualisht jashtëligjore të këtij institucioni në aspektin teknik. Kreu i Komisionit, Emil Dimitriev, deklaroi se në vizitën e fundit është kontrolluar arkivimi i kërkesave për përgjimin e numrave telefonik deri në materializimin e urdhrit gjyqësor. Ai njoftoi se për vitin 2019 ATO-ja ka pasur qasje për përçim sinjali të 258 numrave telefonik kurse për momentin ATO-ja ndërmjetëson përgjimin e 159 numrave telefonik. Megjithatë, Dimitriev akuzon kryeparlamentarin dhe sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit se nuk nënshkruajnë marrëveshje për shërbime konsultuese me ekspertin i cili do të ndihmojë komisionin të zbatojë edhe kontrolle teknike në ATO.
Është për të ardhur keq që Komisionit këtë kompetencë nuk e merr shumë seriozisht sepse roli monitorues i Kuvendit është shumë i rëndësishëm sa i takon kontrollit të shërbimeve të sigurisë. Prej dy muajsh procesverbali i përzgjedhjes është dorëzuar kurse ne si Komision akoma nuk kemi përgjigje se pse nuk është angazhuar ai person.”- theksoi Emil Dimitriev, kryetar i Komisionit për monitorimin e përgjimeve
Eksperti i zgjedhur ka përfunduar studimet master për forenzikë kompjuterike në Irlandë. Komisioni ka nevojë edhe për një ekspert tjetër i cili kërkohet të jetë shqiptar. Drejtori i ATO-së Zoran Angellovski, nga ana tjetër, njofton se është duke u kompletuar kuadri i këtij institucioni. Deri tani ATO-ja numëron 22 të punësuar kurse së shpejti do të ketë nevojë edhe për pajisje të reja teknike.
E dini se bëhet fjalë për materie e cila zhvillohet shpejt. Maqedonia do të përballet ne periudhën e ardhshme me zbatim të “vollte”. Operatorët përgatiten për teknologjinë e re. ATO-ja po ashtu do të duhet të blejë pajisje të reja që të mundet të ndjekë edhe këtë lloj të teknologjisë. Këtu bëjmë analiza edhe sa mjete do të na duhen për ndërtimin e sistemit që të mund t’u japim shërbim efikas të gjithë subjekteve që janë përfshirë në sistemin për ndjekjen e telekomunikimeve.”- u shpreh Zoran Angellovski, drejtor i ATO-së
Angellovski beson se deri në fund të këtij viti do të aplikohen edhe pajisjet e reja. ATO-ja u formua në kuadër të reformave në shërbimet e sigurisë. Ky institucion është përçues sinjali mes institucionit që kërkon përgjim dhe operatorit celular.
Fatlume Dervishi
Loading…



