Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e kryesuar nga gjyqtarja Flojera Davidhi, ka shpallur vendimin për të dyshuarit për kontrabandë mallrash, mos deklarim të ardhurash, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare.
Këta persona dyshohet se kanë sjellë në vendin tonë bizhuteri luksoze që dyshohet se janë vjedhur në Francë dhe shitur në vendin tonë.
Mes të dyshuarve është Sokol Idrizi ish-shoferi i Ardi Veliut.
Gjykata e Posaçme ka vendosur dënimet si më poshtë:
- Agustin Mesulit dënohet me 11 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të dënohet me 7 vite e 5 muaj burg
- Altin Doda dënohet me 11 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ai do të vuajë 7 vite e 5 muaj burg
- Sokol Idrizaj dënohet me 8 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do vuajë 5 vite e 7 muaj burg
- Elda Idrizaj, dënohet me 8 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar do vuajë 5 vite e 7 muaj burg
- Florian Baku dënohet me 11 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 7 vite e 5 muaj
- Egi Idrizaj dënohet me 7 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënohet me 4 vite e 7 muaj. Duke qenë se ka fëmijë të mitur, i pezullohet dënimi me burg
- Bora Idrizaj dënohet me 2 vite burg, por i konvertohet ne shërbim prove
- Vangjush Kashari shpallet i pafajshëm
- Tomor Baruti 2 vite burg i konvertohet ne shërbim prove
Ata dyshohen se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes një argjendarie në Tiranë, sikurse dhe nëpërmjet faqeve online.
HETIMET E SPAK
Ishin dy grupet kriminale që kryenin kontrabandë të parave dhe bizhuterive të vjedhura nga Franca për në Shqipëri, ku ishte i përfshirë edhe Sokol Idrizaj, ish-shoferi i Ardi Veliut, si edhe familjarët e tij.
Sipas SPAK, një grup kriminal i krijuar në rajonin e Lionit-Francë në bashkëpunim me një grup kriminal nga Shqipëria, koordinonte aktivitete të ndryshme të paligjshme, dhe fitimet e realizuara i dërgonte në vendin tonë.
Nga hetimet ka rezultuar se veprimtaria kriminale e tyre kamuflohej pas aktivitetit të disa agjencive të udhëtimeve, me objekt veprimtarie në transportin e udhëtarëve dhe mallrave nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur rolet e dy grupeve në këtë veprimtari kriminale. Sipas SPAK:
Grupi i parë, përbëhet nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku, personat e proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë Sokol Briant (alias Brahimi, alias Balili), Dritan Ulqinaku, etj.
Nga hetimet e kryera nga autoritetet franceze ka rezultuar e provuar se Sokol Briant, pas grumbullimit në mënyrë të vazhdueshme të sendeve të vjedhura (nga bashkëpunëtorët e tij), si dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale në Hotel d’Alsace (i cili menaxhohej po nga Sokoli), i’a dorëzonte të pandehurve Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, të cilët punonin si shoferë në itinerarin Shqipëri-Francë-Shqipëri, dhe merrnin përsipër transportin e tyre në mënyrë të fshehtë, kundrejt fitimit nga 3%-7%.
Grupi i dytë, përbëhet nga të pandehurit Sokol, Elda, Egi Idrizaj, dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar nga autoritetet franceze, të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme kriminale nëpërmjet transportimit të shumave monetare të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, dhe blerjes së produkteve të luksit nga firmat më prestigjioze po në Francë. Blerje të cilat janë realizuar si me para në dorë, ashtu dhe nëpërmjet kartave bankare (të hapura në emrin e tyre si dhe të lidhjeve të tyre shoqërore).
Këto produkte janë transportuar nga të pandehurat Elda dhe Egi Idrizaj, nga të pandehurit Dejvi Skënderaj dhe Bora Idrizaj, si dhe nga kompanitë e transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, të cilat janë futur kontrabandë në Shqipëri.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Idrizaj, për interesa të aktivitetit të paligjshëm kriminal merrnin shuma të konsiderueshme monetare me përqindje (deri në 10% në muaj), nga persona të cilat nuk ishin të licencuar për të kryer një aktivitet të tillë, e më konkretisht nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda, Vangjush Kashara dhe Tomorr Barruti, të cilët kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”.
Drejtuesit e kompanive të transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, respektivisht të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, kanë marrë përsipër transportin e produkteve të veprës penale dhe dorëzimin e tyre të sigurt me garanci 100% në Shqipëri, duke patur mbështetjen e autoriteteve policore në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, e më konkretisht të pandehurve Gentian Aga dhe Alid Shehi, të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar si krim nga neni 248 i Kodit Penal.
Bazuar edhe në aktet e administruara nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadrin e dosjes “Shkodër42”, ka rezultuar se gjatë periudhës objekt hetimi janë konstatuar mbi 300 vjedhje të kryera, dhe sendet e vjedhura (kryesisht bizhuteri prej ari, orë dore, pajisje elektronike etj), i’a kanë rishitur subjektit Sokol Briant, në ambientet e hotelit ku punonte në Lyon-Francë, dhe disa prej këtyre produkteve të krimit, janë sekuestruar në banesat e të pandehurve.
ÇFARË U SEKUESTRUA
Gjatë kontrolleve të ushtruar në territorin shqiptar, janë sekuestruar:
59.100 Euro; 10 000 USD kanadez; 57 ora dore (Hamilton, Omega, Rolex, Baume & 7Mercier, Cartier, Breitling, Hublot Geneve, Edifice); 1 (një) aparat fotografik; 9 laptopë; 7 I-Pad; 3 tablet; 28 aparate celularë; 2 kompjutera; 33 copë bizhu dhe 2 monedha ari; 1 stilolaps Cartier; 2 Stilografë; sasi e konsiderueshme syze dielli të markave të ndryshme (DG; Louis Vuitton; Ray Ban; Giorgio Armani; Versace); sasi e konsiderueshme parfume dhe kremrash (Versace Dylon Blue, Dolce Gabbana, Hermes, Avon Glamour, Asabi, Channel Blue, Armani “Si”, Louis Vuitton); karta të ndryshme bankare; veshje të markave të ndryshme (Dior, Christian Louboutin, Christian Dior, Hermes, Moncleir, Balenciaga); çanta apo këpucë të firmave prestigjoze etj.
Autoritete franceze kanë sekuestruar: sasi 305,000 Euro (230,000 Euro në kartëmonedha, dhe pjesa tjetër në llogaritë e personave të proceduar); 115 copë bizhu të ndryshme; 50 orë dore të markave të ndryshme luksoze etj.