Punësimet e mjekëve të rinj, përfshirë edhe ata që kanë fituar të drejtën për specializim, kanë hasur në probleme të mëdha. Siç mëson TS, disa kandidatë që nuk janë pranuar në konkurs kanë paraqitur ankesa dhe më pas kanë paditur Spitalin Klinik të Tetovës, duke akuzuar për shkelje të procedurave ligjore gjatë pranimit të specializantëve të rinj.
Sipas ankesave dhe padive që janë dërguar edhe në adresë të portalit TS, pretendohet se konkursi ka shkelur një sërë procedurash. Madje, flitet se disa kandidatë janë pranuar pa i plotësuar kushtet e nevojshme, ose me nota më të ulëta se të tjerët. Në ankesa thuhet gjithashtu se përgjigjet negative për mospranimin nuk përputhen me realitetin dhe se lista e kandidatëve të pranuar nuk është shpallur në tabelën informuese të spitalit, siç është e detyrueshme.
Ankesat dhe paditë janë drejtuar ndaj menaxhmentit të Spitalit të Tetovës, ku, sipas kandidatëve, pritet që konkursi të anulohet dhe të hapet përsëri në mënyrë të rregullt dhe transparente.
Nga ana tjetër, Spitali i Tetovës, për TS, nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar në lidhje me konkursin dhe pranimin e kandidatëve.
Vlen të theksohet se, disa ditë më parë, pas shpërthimit të skandalit për punësime familjare të lidhura me Lëvizjen BESA dhe me urdhër të Bilall Kasamit, janë dhënë dorëheqje nga disa drejtues.
Ndryshe, në Spitalin e Tetovës, përveç këtyre keqpërdorimeve të mëdha, mbi 140 të punësuar me kontratë në vepër nuk kanë marrë rroga për afro tre muaj, dhe pritet që ditëve në vijim të organizohen protesta.