16 June
Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës vlerëson se ka një paralelizëm mes BDI-së në Maqedoni dhe PDK-së në Kosovë sa i përket mënyrës së tyre të themelimit dhe metodologjisë së tyre të funksionimit. I ftuar në emisionin “Rruga Drejt” në Alsat, deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca akuzon se BDI njëjtë si PDK funksionojnë pa llogaridhënie ndaj qytetarëve.
BDI-ja me sa e kam përcjellë unë edhe metodologjinë e tyre të ushtrimit të Qeverisë dhe rezultatet e tyre tregojnë pak a shumë për një far metode të njëjtë të cilën e kemi hasur edhe në Kosovë me qeverisjen e PDK-së. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek qytetarët, është njëfarë stili i qeverisjes i cili lë shumë për të dëshiruar, karakterizohet nga figura politike të cilat nuk janë shumë të prirura drejt ushtrimit të demokracive të brendshme të subjekteve të tyre politike, por është një fenomen i liderokracisë – deklaroi Glauk Konjufca, Vetëvendosje.
Duke folur për faktorin politik shqiptar dhe unifikimin e tyre, analisti Robert Nesimi thotë se Lëvizja Besa dhe LR PDSH janë fajtore për përçarjen e votës shqiptare.
Unë e përmenda që BDI ka marrë vetëm 35% të votave dhe ka dështuar totalisht në zgjedhje, tani pse është prapë BDI-ja në Qeveri? Është problem i kapriçove të tyre personale. Qytetarët e dhanë verdiktin e tyre por ishte faji i Lëvizjes Besa dhe LR DSH-së që nuk gjetën gjuhë të përbashkët dhe të dalin bashkë në zgjedhje. Jam i sigurt se në atë rast se as LSDM-ja nuk do t’i kishte marrë këto 40.000 vota shqiptare, ato bashkë do të kishin marrë 15-20 deputetë në vend të 8 që i kanë tani dhe njëherë e mirë do të ishim pastruar me qeverisjen e vjetër, prandaj them se nuk është faji te qytetarët por i politikaneve – u shpreh Robert Nesimi, analist.
Nga ana tjetër edhe profesori Isak Sherifi drejton akuza ndaj LR PDSH-së dhe Lëvizjes Besa për të cilat thotë se nuk kanë qenë bashkëpunuese dhe sfiduese kundrejt BDI-së gjatë fushatës.
Lëvizja Besa u deshtë që në prezencë të elektoratit, qoftë në debate televizive, qoftë ne dëgjime me qytetarët pak më ndryshe që opsionin e vet për ri definimin e shtetit ta japë në klauzolë të duhur, në formë të duhur se si do ta bëjë ri definimin. Zoti Sela nuk reflekton për unifikimin e frontit opozitar në Maqedoni ata kanë marrë hov pas marrjeve të posteve – tha Isak sherifi, profesor.
Lëvizja Vetëvendosje ishte partia me më shumë vota në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë dhe vlerëson se kësaj radhe faktori ndërkombëtar do të mbështesë idenë për një Qeveri reformatore që është rast i ngjashëm me formimin e Qeverisë në Maqedoni.
Vjollca Aliti

