Po vijnë ditë të zeza, qytetarët të përgatiten, ndërsa Qeveria menjëherë të marrë masa për zbutjen e goditjes nga çmimet e karburanteve dhe mbrojtjen e standardit të jetesës së popullsisë – apeloi profesori universitar Vanço Uzunov në emisionin Biznes 21.
Sipas tij, konflikti në Lindjen e Mesme do të zgjasë, ndërsa efektet e krizës në ekonominë evropiane do të përhapen edhe tek ne, dhe goditja më e madhe do të jetë mbi qytetarët më të varfër. Ai i bëri thirrje Qeverisë që menjëherë të marrë masa, por shpreh frikë se deri më tani ajo nuk ka reaguar si vendet e rajonit, dhe se nuk ka hapësirë fiskale për masa.
“Edhe unë pajtohem se kjo krizë do të zgjasë. Nuk do të përfundojë lehtë ajo luftë, dhe edhe nëse fillon të përfundojë, efektet negative do të përhapen dhe do të vazhdojnë edhe më tej të paktën deri në fund të këtij viti, minimum. Po vijnë ditë të zeza, kohë të vështira dhe duhet të mendohet, duhej prej kohësh të fillonte të mendohej, po pyes për Qeverinë, por edhe çdo qytetar për veten, çdo familje të mendojë hajde të shohim çfarë do të bëjmë sepse po vijnë kohë të këqija. E di që kjo tingëllon pak si panik, por më mirë të ketë panik sesa më vonë pse nuk na treguat me kohë”, tha Vanço Uzunov.
Sipas Uzunovit, nëse kriza zgjat më shumë se 6 muaj, këtë vit do ta përfundojmë me zero për qind rritje ekonomike dhe normë inflacioni mbi 7-8 për qind. Për profesorin universitar Sinisha Naumoski, kriza do të përhapet mbi ekonominë e Maqedonisë, ndërsa goditja do të varet nga kohëzgjatja e konfliktit. Thotë se nëse çmimi i naftës në tregun global tejkalon 130 dollarë për fuçi, inflacioni në nivel global do të jetë rreth 4 për qind.
“Ja një fushë ku ju si odat ekonomike, sindikatat dhe kjo Qeveri duhet të bëni menjëherë një front sot, nesër dhe të dakordohemi, ulje të përkohshme të akcizës sipas projeksioneve ndërkombëtare, nga 2 deri në 6 muaj, TVSH-ja për karburantet gjithashtu, aktivizimi i, ku Maqedonia duhet të pozicionohet, aktivizimi i rezervave strategjike, të shohim si dhe në cilën politikë evropiane që thotë minimum rezerva prej 90 ditësh. Do të thotë ne duhet të sigurojmë minimum rezerva për 90 ditë”, deklaroi Sinisha Naumovski.
Transporti më i shtrenjtë do të reflektohet në të gjitha çmimet e tjera, tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), Nuhi Aliu. Shpreson që Qeveria së shpejti të marrë masa për të zbutur goditjen, veçanërisht mbi më të varfrit.
“Transporti dhe derivatet i prekin të gjithë sektorët, nuk mund të thuash se ndonjë sektor do të shpëtojë nga korrigjimi i çmimeve. Këtu nuk ka shans sepse transporti merr pjesë në koston, në çmimin e çdo produkti. Ne jemi më shumë vend importues, do të thotë importojmë më shumë sesa eksportojmë, që do të thotë edhe kur eksportojmë edhe kur importojmë kemi korrigjim të çmimeve”, tha Nuhi Aliu.
Nuhiu tha se të gjitha odat ekonomike së bashku po bisedojnë me Qeverinë dhe ofrojnë propozime. Propozimi i tyre është që Komisioni Rregullator të rikthejë rregulloren e vjetër me të cilën, në vend që çmimet të formohen një herë në javë – të hënën, korrigjimet të bëhen vazhdimisht kur ka luhatje të çmimeve të naftës në bursat botërore. Thotë se me rregulloren e re tregtarët e naftës kanë humbje, sepse tek ne karburanti është më i lirë krahasuar me rajonin. /tv21


