Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Arjan Telhallarin, i cili dyshohet se ka hyrë mesditën e sotme në zyrën elektorale të një subjekti politik dhe është përfshirë në një konflikt me personat që ndodheshin aty.
Sipas burimeve nga policia, në sallën operative është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Megjithatë, nga këqyrja e vendngjarjes, deri më tani janë gjetur vetëm dy fishekë të paplasur, ndërsa nuk ka të dhëna për persona të lënduar.
Policia bën me dije se Telhallari është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet menjëherë pas përplasjes, ndërsa shërbimet e rendit vijojnë punën për kapjen dhe shoqërimin e tij.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se dera prej xhami e zyrës elektorale është dëmtuar. Sipas policisë, dyshohet se dëmtimi është shkaktuar me sende të forta gjatë përplasjes.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.